SmartCity: 100 projekte për Tiranën.

Bashkia e Tiranës dhe UNDP organizojnë më 20 janar Konferencën e Donatorëve, ku do të prezantohen mbi 100 projekte për qytetin, duke filluar nga infrastruktura deri te shërbimet për qytetarët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe drejtoresha e UNDP në Tiranë, Yesim Oruc, dhanë sot në një konferencë të përbashkët të gjitha detajet e këtij aktiviteti të rëndësishëm, i cili realizohet për herë të parë në Shqipëri.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se ky aktivitet vjen si një bashkëpunim i frytshëm me UNDP, për organizimin e konferencës “Tirana Smart City 2016-2026”. “Gjatë konferencës, ne parashikojmë të prezantojmë 100 projekte për Tiranën, të cilat variojnë nga projekte të infrastrukturës, deri te projekte që kanë lidhje me kulturën dhe turizmin”, tha Veliaj. Sipas tij, fakti që fokusi është vendosur në një periudhë 10-vjeçare, do të thotë se Bashkia e Tiranës po mendon për investime përtej një mandati.

Ai theksoi se ky aktivitet është i pari në llojin e tij, një konferencë që përfshin donatorë nga të ambasadat dhe agjencitë e zhvillimit që punojnë në Tiranë, ashtu edhe komunitetin bankar. “Një nga projektet do të jetë terminali multimodal i transportit. E kemi reduktuar vlerën e projektit, e kemi zhveshur nga interesat e pallateve apo qendrave komerciale, duke e trajtuar si një terminal jashtëzakonisht të nevojshëm për qytetin e Tiranës, ku do të ftojmë partnerë nga komuniteti privat që të bëhen palë me Bashkinë për të realizuar këtë investim”, tha Veliaj. Sipas tij, disa nga projektet, siç janë terminalet, do të ofrohen si zgjidhje të përhershme në këtë konferencë donatorësh.

“Ne kemi një qendër të kontrollit të trafikut urban me përmasa modeste, të cilën duam ta zgjerojmë, duke shtuar rreth 11 kamera më shumë në kryqëzimet më problematike, për shkak se nuk i mbulojmë dot me përllogaritje, si dhe për të lehtësuar trafikun”, tha Veliaj. Ai gjithashtu theksoi se do të krijohet një platformë online për taksat dhe gjithë detyrimet e bashkisë. “Kultura që kemi trashëguar, ku biznesit dhe qytetarëve të Tiranës u merren orë të tëra pritjesh në radhë, kur të gjitha këto shërbime mund t’i bëjnë online, është një nga projektet që do të paraqesim në konferencë për financime dhe ndihmë nga donatorët”, sqaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe teknokologjisë, duke theksuar nevojën e hapjes së inkubatorëve për sipërmarrjet e teknologjisë së informacionit.

Ndërsa, Drejtoresha e UNDP në Shqipëri, Yesim Oruc, në fjalën e mbajtur në konferencë, tha se nëse një politikë e hartuar në nivele globale, nuk merr jetë në nivel lokal, nuk ka kuptim për qytetarët. “Shpresoj që konferenca e 20 janarit të jetë vetëm fillimi i një partneriteti, i një angazhimi me aktorët ndërkombëtarë. Kjo, jo vetëm për të vazhduar projektet dhe mbështetjen në fushat që ju i përmendet, por edhe për të ndihmuar bashkinë tuaj për të ofruar shërbime. Ne kemi patur mundësinë për të punuar me ju mbi shumë projekte, bashkë me ekipet tona, për t’i prezantuar në këtë konferencë”, tha Oruc. Sipas saj, këto politika, strategji, plane veprimi kanë një bazë të vetme zbatimi, i cili është niveli lokal.

Në datën 20 janar, Bashkia e Tiranës do të organizojë disa sesione, ku për grupet e interesuara të partnerëve do të prezantojnë secilin prej projekteve që kërkon financim.