200 pemë të reja në Liqenin e Farkës nga vullnetarët e “Fundjavë ndryshe”

Parku i Liqenit të Farkës është pasuruar sot edhe me 200 pemë të tjera, falë kontributit të nismës “Fundjavë Ndryshe”, e cila iu përgjigj thirrjes së Bashkisë së Tiranës për t’iu bashkuar aksionit të gjelbërimit të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi vullnetarët e “Fundjavë Ndryshe”, që kësaj here vendosën që kontributet e tyre t’i përdorin për një tjetër nevojë që ka shoqëria jonë, siç është gjelbërimi.

“I jam shumë mirënjohës Arbër Hajdarit dhe gjithë vullnetarëve të “Fundjavë Ndryshe”. Nevojë njerëzore është edhe gjelbërimi, ajri i pastër. Më pëlqen që sot po adresojmë këtë nevojë, që është në fakt nevoja ulëritëse e një qyteti për më shumë hapësira të gjelbra”, u shpreh Veliaj. Ai tha se me investimet e realizuara në këtë zonë, por edhe me pemët e mbjella gjatë këtyre muajve, Liqeni i Farkës po shndërrohet në destinacion argëtimi dhe frymëmarrje e dytë për qytetin e Tiranës.

“Sot jemi në cepin tjetër të liqenit të Farkës. Njerëzit kanë parë hyrjen, ku është punuar shumë, por tani e kemi zhvendosur hartën e ndërhyrjeve edhe në fundin tjetër, që është më pranë zonës së fshatit, ku shumë banorë të zonës kanë bashkëpunuar dhe thonë: për sa kohë që e dimë që nuk do ndërtohen pallate buzë liqenit, më mirë na e gjelbëroni. Me kontributin e “Fundjavë Ndryshe” sot i kemi dhënë qytetit një total prej 200 pemësh”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës ftoi edhe një herë qytetarët që të shfrytëzojnë ditët e mbetura dhe ngjarjet e tyre më të rëndësishme t’i përjetësojnë duke mbjellë një pemë. Në mënyrë të veçantë, ftoi të dashuruarit që 14 shkurtin ta festojnë edhe duke mbjellë një pemë si dëshmi e dashurisë së tyre. “Shpresoj shumë që sot të kemi dhënë një kontribut për diçka që brezat e tjerë do e konsiderojnë si parkun e dytë të madh të Tiranës. Arbri përdori ditën e sotme si një mënyrë për të kontribuar, por secili mund të gjejë një sebep që mund të jetë 14 shkurti për ata që dashurohen, mund të jetë 7-8 marsi për Ditën e Mësuesve dhe Nënës, mund të jetë çfarëdo lloj arsye, një i porsalindur, një rast përkujtimor, një përvjetor, për ta përdorur për të mbjellë”, shtoi ai.

Veliaj tha se kur mbeten edhe pak më shumë se 1 muaj nga mbyllja e sezonit të mbjelljeve, Bashkia e Tiranës është duke iu afruar synimit për të mbjellë 100 mijë pemë. “Jemi shumë afër rekordit tonë me 100 mijë pemë dhe besoj që falë kontributit që na dha sot “Fundjavë ndryshe”, jo vetëm do e kapim, por do e kalojmë këtë rekord deri në 21 mars. Kur secili jep aq sa ka mundësi, të gjitha organizatat, komunitetet, shkollat, kopshtet, çerdhet, pallatet që po ndihmojnë, mund të kemi realisht një qytet ku kanë kontribut të gjithë, jo vetëm Bashkia që e ka për detyrë, por secili që e ndien se do të lërë një shenjë në qytetin e vet”, theksoi Veliaj.

Drejtuesi i nismës “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari përgëzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për këtë nismë, e cila sipas tij është shumë të nevojshme për vendin tonë. “Kjo është një punë shumë e madhe, që jo vetëm bashkia, por mendoj të gjithë qytetarët e Tiranës duhet të përfshihen, jo vetëm në Tiranë, por edhe të qyteteve të tjera, pasi dihet që shqiptarët nuk e kanë pasur marrëdhënien e mirë me pyjet. Unë gjej rastin të ftoj gjithë qytetarët e Tiranës, qoftë bamirësit e “Fundjavë ndryshe” që është një numër shumë i madh njerëzish për t’i dhënë akoma më shumë kuptim kësaj gjëje që po bëjmë sot. Ky është vetëm fillimi i aktivitetit të “Fundjavës” në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës për mbjelljen e këtyre pemëve, shpresojmë që numri që do të kontribuojmë të jetë një numër akoma më i madh për të arritur qëllimin që kemi vënë”, tha Hajdari.