4 milion dollarë investime për rrugët e Laprakës

Këtë vit, Bashkia e Tiranës do të investojë 4 milion dollarë për infrastrukturën rrugore në Njësinë Administrative Nr.11, e cila përfshin gjithë zonën e Laprakës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi këtë si një lajm të mirë për gjithë banorët e zonës. “Ky është investimi më i madh që bëjmë në një nga njësitë e Tiranës. Fondi i Zhvillimit të Rajoneve miratoi kërkesën e Bashkisë së Tiranës që Lapraka të marrë financimin më të madh në 25 vitet e fundit. Investimi do të zgjidhi përfundimisht disa nga gangrenat e infrastrukturës në të gjithë zonën dhe besoj se ky është një lajm i mirë për të gjithë”, tha Veliaj.

Por, që punët që do të kryhen falë këtij investimi të jenë të një cilësie sa më të mirë, kryebashkiaku kërkoi ndihmën e ndërlidhësve që, në emër të interesit të qytetarëve, të mbikëqyrin punimet dhe të raportojnë për çdo devijim nga projekti. “Kjo do të thotë se na duhet ndihma juaj që të sigurohemi që puna të kryhet mirë dhe me cilësi. Pra, të jeni edhe mbikëqyrës të punimeve të këtij investimi të madh”, Veliaj. Ai u ndal edhe në disa projekte të tjera të Bashkisë së Tiranës, që synojnë të ndryshojnë jo vetëm infrastrukturën në rrugë, kopshte, e shkolla, por edhe në një sërë shërbimesh që ofrojnë ndërmarrjet e bashkisë.

Një prej tyre është edhe përmirësimi i gjendjes së furnizimit me ujë në kryeqytet. Për këtë, Veliaj bëri të ditur se Bashkia ka nisur disa projekte pilot, për testimin e sistemit për furnizimin me 24 orë ujë të disa lagjeve të caktuara të Tiranës, përfshi edhe Laprakën. Sipas tij, kjo do të shoqërohet edhe me nismën për heqjen e depozitave nga pallatet, duke shmangur kështu një rrezik të përhershëm për shëndetin e qytetarëve. “Kemi nisur investimet e mëdha në UKT, që qytetarët të kuptojnë se vërtet e paguajnë faturën e ujit, por ajo u kthehet në investime. Në disa zona, si te “Kodra e Priftit” dhe në “Ali Demi”, kemi filluar projektet pilot për 24 orë ujë pa ndërprerje. Për këtë arsye, shumë familje po i ç’montojnë depozitat e ujit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Duke u ndalur te fatura ujit, Veliaj u kërkoi ndërlidhësve që të sqarojnë banorët se nuk ka asnjë rritje të tarifave, por disa prej tyre që deri dje nuk mblidheshin fare për shkak të paaftësisë së administratës, janë përfshirë në faturën e ujit për lehtësi. Kjo ka si qëllim përmirësimin e mbledhjes së tarifave bashkiake dhe lehtësimin e qytetarëve nga procedurat dhe mbajtja e radhëve pa fund në sportele. “Nuk ka ndryshuar asnjë taksë, është e njëjta faturë. E vetmja gjë që kemi bërë është që të mos vazhdojë më kjo andrallë dhe qytetarëve mos t’u kërkohet të paguajnë njëherësh shuma për vite të mbetura”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Tiranës u kërkoi ndërlidhësve të diskutojnë me banorët çdo projekt të bashkisë. “Do të doja të ishit pjesë e konsultimeve publike që Bashkia e Tiranës do të organizojë për disa projekte madhore, ashtu siç bëmë në dhjetor, kur në çdo njësi shpjeguam buxhetin dhe investimet për njësi, apo projektet tona madhore si këndi i lojërave për fëmijë, Unaza e Madhe, Unaza e Vogël etj”, tha ai. Duke u ndalur veçanërisht te projekti i sheshit “Skënderbej”, për të cilin Veliaj theksoi se do të zhvillohet një diskutim i gjerë publik, ai shtoi se ky shesh do të përfaqësojë të gjithë shqiptarët.

“Në fillim të prillit do të prezantojmë për publikun projektin e ri të sheshit “Skënderbej” dhe po caktojmë konsultime publike në çdo njësi. I ftojmë qytetarët e Tiranës të japin komentet e tyre. Duke qenë se sheshi “Skënderbej” nuk është vetëm i një njësie, por do të shijohet nga të gjithë qytetarët e Tiranës, atëherë siç të 24 njësitë u përfshinë në konsultimet për buxhetin dhe projektet madhore që kemi nisur të zbatojmë nga fillimi i vitit, kështu dua që të përfshihen edhe në çështjen e sheshit ‘Skënderbej’”, deklaroi Veliaj.

Duke folur për disa nga detajet e projektit, ai nënvizoi se raporti mes sipërfaqes së gjelbër dhe asaj të ngurtë do të jetë 50 me 50. “Kjo do të thotë që ne do të mbjellim mbi 5000 pemë dhe 35 mijë lule. Kjo përfshin pastaj, edhe shkurre dekorative dhe mbjellje që janë kryesisht nga pemë që rriten në Shqipëri dhe që nga kushtet klimaterike do të vazhdojnë të rriten për 35-40 vitet e ardhshme”, tha Veliaj.

Një nismë tjetër që Bashkia pritet të nisë në muajin e ardhshëm është edhe ajo për të ngritur kënde lojërash për fëmijë në të 11 njësitë administrative të qytetit. “Ne kemi përcaktuar tashmë 11 lagjet ku do të ngrejmë këndet e reja të lodrave për fëmijë. Nga muaji tjetër do të fillojmë të instalojmë këndet e lojërave nëpër lagje. Fakti se çdo ditë gjendet nga një alibi tjetër, do të thotë se ata që kundërshtojnë këndin e lojërave te liqeni nuk kanë argumente. Kështu që, ne do t’i bëjmë të dyja, edhe këndet e lodrave nëpër lagje”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku paralajmëroi edhe aksionin që do të nisë shumë shpejt për prishjen e rreth 100 ndërtimeve pa leje, kryesisht në zonën e Parkut të Liqenit, si dhe ndërtimet mbi kolektorë për të shmangur përmbytjet. “Janë disa shtëpi që janë ndërtuar mbi kolektorë. Kemi prishur një pjesë të madhe, do të duhet të prishim dhe kompensojmë edhe një pjesë tjetër. Këtu na duhet edhe pak mirëkuptim nga banorët. Një ndërtim mbi kolektor është dramë e madhe. Nuk mund të mbyten 100 mijë vetë për dy shtëpi”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.