4 zgjidhje konkrete për të pastrehët

Në Ditën Ndërkombëtare të Habitatit, Bashkia e Tiranës prezantoi disa nga skemat me anë të të cilave synohet t’i jepet zgjidhje problemit të strehimit në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke folur në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Strehimi për të gjithë”, e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, në bashkëpunim me Fondacionin “Housing Europe” dhe Entin Kombëtar të Banesave, theksoi seriozitetin me të cilin bashkia po e trajton problemin e strehimit në Tiranë, duke u përpjekur që nevoja për zhvillim urban të mos cenojë nevojën për strehim.

Për këtë qëllim, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se krahas punës për transformimin e qytetit, bashkia ka menduar disa zgjidhje që do të zbusin çështjen e strehimit. Një nga zgjidhjet e para është ajo ku bashkia ofron asetet e saj, si troje apo ndërtesa jofunksionale, në mënyrë që investitorët privat të ndërtojnë banesa sociale. “Po shohim disa mundësi, si për shembull ideja për një marrëdhënie partneriteti publik-privat, ku nëse bashkia ofron një terren të lirë, pa kosto, në një nga pronat e saj, për të parë interesin e biznesit për të ndërtuar me kosto të ulët banesa sociale”, u shpreh Veliaj. Por, kjo sipas tij, nuk duhet parë si zgjidhje parësore, pasi krijon edhe efekte negative në jetën sociale të këtyre banorëve.

“Për ne është sfidë jashtëzakonisht e madhe çështja e “getozimit”. A mjafton vetëm të ndërtosh një lagje të tërë, ku ti thua këto janë projektet tona të banesave sociale dhe praktikisht, krijon një geto ku stacioni i autobusi të shkollës identifikohet me banesa sociale? Besoj se një zgjidhje e tillë ishte e mirë për krizat emergjente, por në plan afatgjatë, krijimi i getove të tilla nuk është ide e mirë”, shtoi Veliaj. Ndaj ai theksoi se Bashkia e Tiranës po sheh zgjidhje të tjera, si bashkëpunimi me ndërtuesit, të cilët kundrejt një bonusi nga bashkia të mund të vënë në dispozicion apartamente me kosto sociale për të pastrehët.

“Në planin e ri urbanistik kemi parashikuar që ndërtuesit dhe zhvilluesit të kenë një bonus mbi zhvillimin e tyre; pra, një marrëveshje me bashkinë që një përqindje të apartamenteve t’ia japin asaj për fondin e banesave sociale. Kjo do të mundësonte që familje të tilla të ishin në çdo fillim të qytetit dhe jo vetëm në një enklavë ose në një geto sociale, vetëm për banesat sociale”, tha kryebashkiaku. Një tjetër zgjidhje që i vjen në ndihmë problemit të strehimit, sipas Veliajt, janë edhe kreditë e buta që bashkia do të ofrojë me buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Në buxhetin e vitit tjetër do të parashikojmë rreth 1 milion dollarë për të zbutur kreditë për familjet e reja që duan të blejnë shtëpi. Llogaria jonë tregon se me 1 milion dollarë mund të zbusim 1500-2200 kredi, në varësi të kërkesës për sipërfaqe që do të kenë familjet aplikuese”, theksoi Veliaj. Kjo, sipas tij, do të ketë jo vetëm efekte në çështjen e strehimit, por edhe në disa komponentë të tjerë siç janë, gjenerimi i sistemit bankar dhe atij të ndërtimit me afro 60 milionë euro. “Çfarë nënkupton kjo? Së pari, që disa qindra familje do të bëhen me shtëpi. Së dyti, që sektori i ndërtimit do të ketë një zhdërvjelltësim. Së treti, nga statistikat, çdo punë në ndërtim krijon 2 punë të tjera në industrinë mbështetëse ndaj sektorit të ndërtimit”, tha Veliaj.

Ai përmendi edhe mundësinë që ka krijuar qeveria italiane nëpërmjet programit të konvertimit të borxhit për të krijuar mundësi për strehimin e familjeve rome. “Më vjen mirë që kemi një projekt konkret. Qeveria italiane na ka akorduar një fond nëpërmjet projektit IADSA, për të strehuar në banesa dinjitoze një pjesë të komunitetit rom e egjiptian, të cilët janë zhvendosur nga rrugët dhe akset që po ndërtohen”, shtoi Veliaj. Ai përsëriti edhe njëherë nevojën për të qenë më efiçent në administrimin e fondeve që lëvrohen kryesisht për komunitetin rom dhe egjiptian.