Përfundon rrjeti i ri i Ujësjellësit në Kodër-Sharrë

Merr fund problemi i furnizimit me ujë në një tjetër zonë të Tiranës. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka përfunduar shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit në Kodër-Sharrë, duke i dhënë fund problemit me ujin e pijshëm të mbartur prej vitesh. Në total, nga investimi i Bashkisë së Tiranës do të përfitojnë 150 familje që jetojnë në Kodër-Sharrë. Punimet u inspektuan edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla.

Pas inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Veliaj theksoi se edhe ky investim është një tjetër dëshmi e faktit se kur qytetarët janë të rregullt me pagesat e detyrimeve, ato u kthehen në investime. “Besoj se kjo është mënyra e drejtë për të ecur përpara, që qytetarët të jenë korrekt, dhe bashkia ua kthen në investime. Nuk presim të kalojnë 4 vjet, sa të vijë fushata e radhës që të bëjmë të njëjtat premtime, por ende pa u mbushur viti i parë, në të gjithë zonën e Kodër-Sharrës kemi sistemuar të dyja anët e kodrës. Uji i pijshëm ka qenë gjithmonë problem në këtë zonë, edhe pse ndodhen kaq afër depos së ujit. Është një nga ato çudirat shqiptare ku e ke burimin pranë, por nuk ke akses në të mirat materiale që sjell ai burim”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Nisur nga fakti se sapo kemi hyrë në stinën e verës, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ujin që përdorin, në mënyrë që UKT të ketë mundësi për një furnizim normal me ujë të të gjitha zonave të Tiranës. “U kërkoj qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ujin e pijshëm, është një mall që kushton dhe është një mall që ka fund. Do të thotë se nuk e kemi ujin pafund, sidomos me afrimin e stinës së ngrohtë. Kësisoj, kursejnë edhe pagesat që i japin ujësjellësit për ujin e pijshëm dhe mbi të gjitha, të raportojnë e denoncojnë të gjithë ata që përdorin ujin e pijshëm për aktivitet komerciale, siç mund të jenë lavazhe apo ujitje jashtë çdo kriteri me ujë të pijshëm të tokave bujqësore”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se Njësia 6, ku përfshihet Kombinati dhe zonat përreth tij, do të përfitojnë edhe nga një sërë projektesh të tjera të Bashkisë së Tiranës. “Ne do të bëjmë një rehabilitim total të gjithë pjesës së varrezave. Aty tregojmë se jemi një qytet me dinjitet, kur dhe të parët tanë i trajtojmë me respekt. Ashtu siç bëmë në Tufinë, varrezat e Sharrës do jenë projekti ynë i dytë për rehabilitimin. Ne do të bëjmë një rehabilitim të gjithë rrugës nga Kombinati ushqimor, ku po bëhet sot mbikalimi i Unazës së Madhe, deri në Sharrë. Më pas, qarkullimi në varreza do të bëhet me një kalim në formë unazore, për të shmangur bllokimin e rrugës”, tha Veliaj.

Ndërkohë, drejtori i UKT-së, Redi Molla bëri një prezantim të projektit, ndërsa ka theksuar se banorët e kësaj zone kanë mundësi që të përfitojnë nga skema e aplikuar për shlyerjen e borxheve që kanë ndaj kësaj ndërmarrje për ujin e papaguar në vite. Në zbatim të projektit të ujësjellësit të Kodër-Sharrës janë shtrirë rreth 2 km tubacion, si dhe janë prerë të gjitha lidhjet e paligjshme që ekzistonin aty.