7 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori sot pjesë në ceremoninë festive të organizuar në sheshin “Nënë Tereza”, me rastin e 7 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Në fjalën e tij, në rolin e mikpritësit të këtij aktiviteti, kryebashkiaku Veliaj theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një nga ngjarjet ku të gjithë shqiptarët janë të bashkuar, pavarësisht dallimeve që kanë për zhvillimet e përditshmërisë së tyre.

“Kjo arritje kaq e rëndësishme”, theksoi kryetari i Bashkisë, “jep një mesazh të fortë për gjithë shqiptarët se sa mund të arrijnë kur fokusohen tek objektivat që kanë realisht rëndësi për vendin”. Ai shtoi se anëtarësimi i vendit tonë në këtë organizatë, më shumë se një angazhim ushtarak, ishte njëkohësisht edhe një konfirmim i orientimit dhe aspiratës së shqiptarëve për të qenë anëtarë të familjes së madhe evropiane.

Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj:

Ne, në Shqipëri, ndahemi për shumëçka. Disa herë ndahemi për çështje madhore, disa herë ndahemi për gjëra që në dukje janë të papërfillshme. Për pjesën më të madhe të datave historike mund të ndajmë pikëpamje të ndryshme, mund t’i duam apo t’i urrejmë, mund të themi se ngjarjet që ato shënojnë janë të mira apo të këqija. Por, për anëtarësimin në NATO besoj se është shumë e vështirë të gjesh kundërshtarë. Kjo është me të vërtet një datë shumë e rëndësishme në historinë e shqiptarëve. Ne bashkohemi kur vjen puna tek aspiratat euro-atlantike të vendit tonë.

Për ne shqiptarët anëtarësimi në NATO është shumë më tepër sesa thjesht pjesëmarrje në një klub sigurie apo në një tryezë të rëndësishme vendimmarrje. Është një konfirmim i orientimit tonë perëndimor dhe evropian. Njohje e faktit se ne jemi pjesë e kësaj familje. Kjo arritje kaq e rëndësishme na jep të gjithëve një mesazh të shumë të fortë bashkimi. Na bën të kuptojmë sesa shumë mund të arrijmë kur fokusohemi tek objektivat që kanë realisht rëndësi për vendin tonë. Sot që gjysma e ëndrrës sonë Euro-Atlantike është plotësuar, na mbetet të punojmë shumë për të arritur edhe objektivin tonë tjetër madhor strategjik: anëtarësimin në BE.

Sot bëhen 7 vjet nga hyrja në NATO. Është e vështirë të shpjegosh sot se me çfarë padurimi u prit kjo arritje për 25 vjet më përpara, sa shumë u punua për të. Por, është më e vështirë akoma të shpjegosh sesa shumë ka ndryshuar Shqipëria për tu bërë anëtare e NATO-s.

Sot po rriten breza që as nuk mund ta imagjinojnë se për shumë e shumë vite me radhë Tirana, qyteti ynë, ishte epiqendra e një paranoje anti-NATO. Vetë ky bulevard i qytetit tonë ishte arena ku Shqipëria i skërmiste dhëmbët dhe i vringëllinte armët NATO-s. Unë kam qenë fëmijë, por i mbaj mend parakalimet në këtë bulevard që donin t’i çonin NATO-s mesazhin, mos u ngatërro me Shqipërinë.

Shumë pranë zyrës tonë në Bashki gjendet prova e asaj paranoje, në tunelet që gjenden nën sheshin pas Ministrisë së Brendshme e që do mbronin lidershipin në rast të një lufte imagjinare me NATO-n. Atje është drejt përfundimit një projekt shumë interesant që do të hapë për publikun tunelet në një muze realisht unik. Bashkë me bunkerin antibërthamor në Tufinë, këto tunele janë një mundësi e mirë për publikun shqiptar, sidomos për të rinjtë, por edhe për ndërkombëtarët, për të parë se në çfarë përmasash absurde paranoja dhe armiqësia me NATO-n na kishin çuar, jo më larg se tri dekada më parë.

Historia e këtyre tuneleve, bunkerëve, e këtij bulevardi të Tiranës, dikur arenë parakalimesh pedante, është në fakt metafora më e bukur e ndryshimit që ka përjetuar Shqipëria. Sot jemi një vend anëtar i NATO-s. Jo vetëm kaq, por së shpejti do të mblidhet në Tiranë Asambleja Parlamentare e NATO-s. Një lajm i mirë dhe një vlerësim për Shqipërinë, por edhe një lajm i mirë dhe një mundësi e artë për promovimin e qytetit tonë të Tiranës.

Dua që t’u uroj, Gëzuar festën! Falënderoj Ushtrinë Shqiptare, për mënyrën dinjitoze, me të cilën na ka shërbyer, jo vetëm në misionet tona ushtarake dhe si djalë ushtarakësh më takon të them, edhe në misionet tona të brendshme dhe me emergjencat civile.

Gëzuar festën e dashur ministre, të falënderoj shumë për imazhin e mirë të Shqipërisë që ke promovuar dhe të gjithë ushtarakëve: Gëzuar, shëndet për familjet e tyre!