Agroturizëm në Tiranën fshat

Çiklistë amatorë dhe profesionistë, të apasionuar me natyrën dhe sportin, si dhe grupe të rinjsh vullnetarë, u bënë pjesë sot e itinerarit çiklistik nga kodrat e Picallës deri në SportZone në sheshin “Nënë Tereza”. Qëllimi i këtij pedalimi ishte promovimi i “Shtegut të Gjelbër” dhe realizimi i infrastrukturës së nevojshme për sportet ‘outdoor’, promovimi i jetesës aktive dhe të shëndetshme. Kësaj nisme iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili siguroi pjesëmarrësit se bashkia do të mbështesë krijimin e shtegut të gjelbër, për ta kthyer periferinë e Tiranës në një vend tërheqës, jo vetëm për çiklistët dhe sportet e tjera, por edhe si një mënyrë për promovimin e bukurive natyrore të zonës për turistët e huaj.

“Jam shumë i lumtur për këtë organizim, që shënon fillimin e një projekti të madh. Bashkia e Tiranës ka vendosur ta promovojë, por edhe ta mbështesë financiarisht projektin e Shtegut të Gjelbër, i cili lidh Tiranën me Golemin, duke kaluar vetëm nëpër zona rurale. Është mirë për promovimin e këtyre zonave, për ekonominë e tyre, janë financa që mbeten aty për çdo pushim, për çdo drekë, darkë, për çdo produkt që konsumohet”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj në fillim të turit. Ai informoi pjesëmarrësit se disa nga vendimet e Bashkisë së Tiranës favorizojnë dhe nxitin lëvizjen e qytetarëve me biçikleta, si një mjet që mbron ekonominë familjare, por edhe një jetë të shëndetshme.

“Dy vendimet që kemi marrë janë: Rrjeti minimal i biçikletave të qytetit. Pra, për t’u siguruar që përveç disa segmenteve të veçanta që kemi, si rruga “Dritan Hoxha”, rruga e Pallatit të Kongreseve, tani rrugën e re të “Kosovarëve”, të sigurohemi që rrjeti funksionon pa ndërprerje. Investimi ynë i dytë do të jetë me Shtegun e Biçikletave. Gjithnjë e më shumë njerëzit po ndihen klaustrofobikë në një Tiranë që sot ka 1 milion banorë. Më vjen mirë që Shtegu i Gjelbër do të jetë një ndër projektet tona kryesore për 2017, duke filluar me disa ndërhyrje, për t’u siguruar që ata që duan turizmin e aventurës, vendas e të huaj, të kenë një mundësi fantastike për të eksploruar rrethinat e Tiranës”, tha Veliaj. Në vijim të përpjekjeve për të nxitur jetën aktive dhe të shëndetshme, kryebashkiaku bëri të ditur se në datën 9 tetor do mbahet Maratona e Tiranës, që synon të kthehet në një aktivitet të përvitshëm.

“Çdo qytet ka maratonën e vet, prandaj edhe Tirana do të ketë maratonën e saj. Si fillim do të organizojmë një gjysmë maratonë në 9 tetor, për t’u siguruar që të apasionuarit e atletikës dhe vrapit, të kenë garën e tyre në Tiranë. Një maratonë të tillë e kanë të gjitha qytetet e Ballkanit. Ambicia jonë është që pas 3 vitesh, kjo të jetë gara më e bukur që ndodh në Ballkan. Në datën 13 tetor mblidhet Federata Evropiane e Atletikës dhe nëse e kalojmë me sukses këtë test, duke korrigjuar gabimet e së kaluarës, do të marrim një datë zyrtare të maratonës së Tiranës për 2017”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Tiranë, Blendi Gonxhe, tha se për t’i dhënë më shumë mundësi atyre që ecin, vrapojnë apo pedalojnë me biçikleta, do të mbyllet përfundimisht hyrja e automjeteve në Parkun e Liqenit nga të gjitha anët e tij. “Nxjerrim përfundimisht jashtë parkut automjetet dhe do të kemi një park pa automjete, që do të ketë edhe rrugët e veta të biçikletave për disa lloj garash, jo vetëm për ato me ecje të qetë, por edhe biçikletat sportive; pra një park me më shumë rekreacion dhe mundësi”, shtoi Gonxhe.

“Shtegu i Gjelbër” është njëri prej itinerareve çiklistikë rajonalë që nis nga Kodrat e Liqenit – Lapidari Picallë dhe synon të shkojë deri në Golem Durrës, në një gjatësi prej 40 kilometër, duke përshkuar zona të banuara dhe parqe natyrore. Ky shteg do të sjellë impakt mjedisor, shëndetësor, shoqëror, turistik dhe natyrisht sportiv, por edhe gjithaq integrues. Shënjestrimi i këtij shtegu fut vendin tonë në EuroVelo, rrjetin më të madh Evropian i shtigjeve për biçikleta që përmbledh 15 shtigje ndërkombëtare që mbulojnë 70.000 km në 42 shtete. Këto itinerare janë përgjithësisht rrugë ekzistuese për biçikleta apo edhe për makina, por të përshtatshme për çiklistët.