Në ndihmë të personave të prekur nga dhuna në familje

Dhuna në familje është një realitet me të cilin duhet të përballen të gjitha organet shtetërore, jo vetëm në qytet, por edhe në zonat më të largëta të vendit. Nisur edhe nga konfigurimi i ri që solli reforma administrative, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me organizatat që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe në mënyrë të veçantë atyre të grave, është angazhuar në ngritjen e një mekanizmi funksional të referimit të rasteve të dhunës në familje në të 24 njësitë administrative. Kjo, jo vetëm që t’u vijë në ndihmë viktimave të dhunës, por edhe të parandalojë çdo rast të mundshëm.

Këtij qëllimi i shërbeu sot takimi që u zhvillua nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale në Bashkinë Tiranë, në rolin e koordinatorit të Mekanizmit të Bashkërendimit të Punës për Referimin e Rasteve të Dhunës në Familje, me kërkesën e Aleancës së Grave Këshilltare të Këshillit Bashkiak, ku mori pjesë edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi. Në fjalën e tij, Seferi vlerësoi nismën e Aleancës së Grave Këshilltare, ndërsa u shpreh optimist se pavarësisht problematikës së mbartur për shkak të trashëgimeve dhe zakoneve patriarkale të zonave të thella apo edhe realiteteve të tjera, mekanizmi i ngritur do të funksionojë për të ndihmuar sa më shumë njerëz që rrezikohen prej këtij fenomeni.

“Bashkia e Tiranës, që në momentin e konceptimit të politikave, ka filluar të vendosë në kulturën e punës së saj një qasje të re, harmonizimin e dimensionit gjinor në disa faza të buxhetit të saj. Për herë të parë, Bashkia ka miratuar një fond të dedikuar vetëm barazisë gjinore për bashkëpunim me organizata dhe donatorë, ndërkohë që stafi i bashkisë trajnohet për të mundësuar këtë buxhetim gjinor”, tha Seferi. Më tej, duke iu referuar nismave të posaçme që janë ndërmarrë nga aktorë të ndryshëm që veprojnë në këtë fushë, ai ka kërkuar që ato të mos ngelen në kuadrin e sensibilizimit, por të shndërrohen në një punë të drejtpërdrejtë dhe të prekshme në 24 njësitë administrative të Tiranës.

“Duhet të asistohet e të bëhet më e prekshme nga të gjithë në këto zona. Vetëm në këtë mënyrë do të bëjmë të mundur sensibilizimin e qytetarëve për të përdorur mjetet dhe shërbimet e këtij mekanizmi, por edhe të realizojmë korrigjimin e të gjitha dukurive të dhunës”, shtoi Seferi.

Ndërsa, kryetarja e Aleancës së Grave Këshilltare të Bashkisë së Tiranës, Klotilda Ferhati theksoi se dhuna ndaj më të dobtëve, siç është edhe ajo në familje, nuk mund të lejohet, ndaj dhe ka kërkuar që të gjitha organizmat shtetërore ose jo, të bëhen pjesë e kësaj sfide. Në emër të Aleancës ajo u shpreh e gatshme për t’iu bashkëngjitur punës në teren. “Kjo gjë duhet të jetë e vazhdueshme, duhet të ketë një program të vazhdueshëm vjetor për njoftimin e mekanizmit dhe mundësitë që kanë qytetarët për të marrë këto shërbime pranë njësive administrative. Parësore është që administratorët e njësive administrative të bëjnë të gjitha veprimet e duhura, duke vënë njoftime pranë njësive të tyre, shkollave etj, për të pasur informacion se çfarë është mekanizmi, numrat e kontaktit etj”, tha Ferhati.

Bashkia e Tiranës tashmë ka përcaktuar rrjetin e funksionimit të mekanizmit përmes personave të kontaktit për çdo njësi, me qëllim përfshirjen e tyre në rrjetin e Ekipit Teknik Ndërdisiplinar, i cili do të ketë një shtrirje në mënyrë kapilare në të gjithë territorin e Bashkisë dhe funksionimi i tij do të jetë shumë shpejt konform të gjitha parametrave dhe detyrimeve ligjore.

Ndërkohë, që koordinimi ndërmjet aktorëve të këtij rrjeti të jetë efektiv dhe menaxhimi i rasteve të dhunës ndaj grave të jetë i suksesshëm, nga ana e Bashkisë së Tiranës për vitin 2016 janë vendosur disa objektiva përfshi: referimi online i rasteve të paraqitura në polici nga koordinatori pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë; bashkëpunimi dhe zgjerimi i ETN-së me një rrjet sa më të gjerë të Organizatave që adresojnë dhe trajtojnë rastet e dhunës; trajnime për përfaqësuesit e 24 njësive administrative; si dhe ngritja e qendrave ditore për rastet e emergjencës, ose sigurimi i apartamenteve te cilat do të shërbejnë si “strehëza” për viktimat e dhunës në familje.