Ambiente te rikonstruktuara tek shkolla 9 vjeçare në fshatin Kalaç

Nga ky vit shkollor, nxënësit e fshatit Kalaç në Njësinë Administrative Ndroq frekuentojnë një shkollë tërësisht të rinovuar. Bashkia e Tiranës ka mundësuar rikonstruksionin e plotë të shkollës, e cila ofron mundësi dhe standarde bashkëkohore për 80 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe parashkollor. Në përurimin e ambienteve të reja të kësaj shkolle mori pjesë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, i cili falenderoi mbështetësit e projektit që bënë të mundur realizimin e këtij investimi të domosdoshëm për këtë fshat, i cili vjen edhe në kuadër të nismës së Bashkisë së Tiranës për të rikonstruktuar shkollat në gjithë territorin e saj.

Nënkryetari Seferi u shpreh se fëmijët dhe infrastruktura arsimore është vazhdimisht në fokusin e Bashkisë së Tiranës, ku u bënë të mundur rikonstruksioni i të gjitha çerdheve dhe është duke përfunduar edhe rikonstruksioni i të gjitha kopshteve në Tiranë. “Ashtu sikurse për çdo familje, gjëja më e shtrenjtë janë fëmijët, edhe në punën tonë, gjënë më të shtrenjtë që kemi janë fëmijët; pra rregullimi i infrastrukturës shkollore, kopshtet, çerdhet, shkollat përbën fokusin tonë kryesor të punës”, shtoi Seferi.

Seferi garantoi edhe një herë se Bashkia e Tiranës është e vendosur që të mbajë premtimin për të ndërtuar edhe 20 shkolla të reja në gjithë territorin e saj, duke synuar që të shmangë përfundimisht mësimin me dy turne. “Sfida jonë për të ardhmen është akoma më e madhe. Ne duam që brenda mandatit tonë të ndërtojmë edhe 20 shkolla, për të hequr përfundimisht sistemin me dy turne, që tashmë është bërë një gangrenë e arsimit tonë”, u shpreh Seferi.

Më tej, ai theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’i trajtojë me të njëjtin standard dhe vëmendje si zonat urbane, ashtu edhe ato rurale të Bashkisë së re të Tiranës. Ai ka kujtuar se me miratimin e buxhetit të ri për vitin 2017 fshati do ketë një vëmendje të shtuar sa i përket investimeve, por edhe nxitjes së zhvillimit të bujqësisë dhe turizmit. Në të gjitha njësitë administrative të Tiranës, në 13 ish-komunat, por edhe në 11 që janë brenda qytetit, punohet me të njëjtin ritëm, të njëjtin përkushtim, për të rregulluar e sistemuar të gjitha këto shkolla.