Ambiente të reja tek kopshtit nr. 19 në kryeqytet

Bashkia e Tiranës ka mbajtur premtimin duke rikonstruktuar të 23 kopshtet që u përfshinë në projektin “Adapto një kopësht”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi ambientet e reja të kopshtit nr. 19 në kryeqytet, në të cilin janë kryer ndërhyrje duke filluar nga dyshemeja, kuzhina, tualetet, punime elektrike dhe hidraulike, si dhe në ambientet e jashtme duke u pajisur me dy kënde të vogla lojërash për fëmijë. Pasi inspektoi punën e kryer, kryebashkiaku Veliaj falenderoi donatorët dhe prindërit, që sipas mundësive të tyre kontribuuan në rikonstruksionin e godinës.

“Ishte një projekt fantastik! Në fillim të gjithë ishin skeptikë, duke thënë se kjo s’mund të ndodhë, në Shqipëri nuk jep askush, as prindërit, as biznesi, as komuniteti. Kemi provuar që e kishin gabim. Në Tiranë ka shumë solidaritet, sidomos mes prindërve. Duke parë se bashkia po mobilizon energji edhe nga sipërmarrja, prindërit janë ofruar me aq sa kanë pasur mundësi, me mobilje, me perde, dyer e dritare, por dua t’i falenderoj sepse në thelb, komuniteti përcaktohet nga mënyra se si bashkëpunojmë me njeri-tjetrin për cilësinë e së ardhmes, që është e fëmijëve të këtij qyteti”, tha Veliaj. Ai vlerësoi punën e bërë deri më tani me projektin e rikonstruksionit të kopshteve, i cili tashmë po shkon drejt fundit.

“Ka qenë një sipërmarrje titanike në një kohë rekord, një sprint, dhe besoj se ia kemi dalë me një sukses të jashtëzakonshëm. I jam shumë mirënjohës të gjithë inxhinierëve, të rinjve, praktikantëve dhe ndonjëherë është bërë shumë më shumë se ajo që është rënë dakord, pra është nisur për të bërë një sistemim, rikonstruksion bazik, por ka përfunduar që janë bërë punë me themeli, duke filluar nga kanalizimet, të cilat kanë qenë në një gjendje të mjerueshme dhe ndërhyrja ishte emergjente”, shtoi kryetari i bashkisë. Por, tashmë që pjesa më e madhe e kopshteve kanë ambiente dhe kushte më të mira, Veliaj theksoi se del e nevojshme që në vijim të investohet në shërbime dhe mësimdhënie ndaj fëmijëve.

“Mezi pres që cilësinë e infrastrukturës ta krahasoni me cilësinë e shërbimit. Vetëm kur ka infrastrukturë të mirë, por edhe shërbim të mirë, atëherë do të kemi një Tiranë që i ka sytë nga e ardhmja. Me fëmijë që rriten në kushte dinjitoze, Tirana e ka të ardhmen në duar të sigurta. Do të kemi shumë sfida këtë vit, por të paktën jo më sfida të infrastrukturës për kopshtet. Tani që kemi zgjidhur infrastrukturën, mund të fokusohemi më shumë te cilësia e shërbimit, programet, por edhe çerdhe e kopshte të reja me komunitetin. Tirana vërtet ka 1 milion banorë, por 1/3 e popullsisë janë fëmijë dhe nëse nuk punojmë për 1/3 e popullsisë sa ç’punojmë edhe për të rriturit, atëherë do të thotë që kemi qytet të zhbalancuar”, theksoi kryetari Veliaj.

Ai theksoi se me përfundimin e procesit të rikonstruksioneve të kopshteve do të vijojë puna me të gjitha shkollat, si ato të rejat që do ndërtohen nga fillimi, ashtu edhe me rikonstruksionin e shkollave ekzistuese.