Bebe Rexha në Tiranë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti dje këngëtaren e mirënjohur shqiptare, Bebe Rexha, dhe DJ e famshëm anglez, Fatboy Slim, të cilët performuan në mbrëmje në sheshin “Nënë Tereza” për mijëra të rinj, në festivalin “Electronic Beats” organizuar nga “Telecom Albania”.

Kryebashkiaku i Tiranës i dorëzoi “Çelësin e Qytetit” këngëtares së njohur shqiptare, Bebe Rexha, në një pritje të organizuar në Bashkinë e Tiranës, si dhe i shprehu asaj mirënjohjen për ardhjen në kryeqytetin e Shqipërisë. Gjithashtu, Veliaj nderoi me simbolin e “Kullës së Tiranës” Dj e famshëm anglez, Fatboy Slim (Norman Cook), i cili me muzikën e tij është i njohur në Shqipëri që nga vitet 1990.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ndihej shumë i lumtur që mirëpriti dy yje të muzikës botërore në Tiranë, dhe se në një vit kryeqyteti i Shqipërisë është kthyer në një ndalesë të rëndësishme për këngëtarë të famshëm botërorë. Dua Lipa, këngëtarja me origjinë shqiptare, ishte e fundit që vizitoi Tiranën duke performuar në sheshin “Nënë Tereza”.