Bibliotekë e re në Kombinat

Nxënës e studentë, të rinj miq të librit dhe banorë të Njësisë Bashkiake nr. 6 në Tiranë kanë një ambient të ri dhe të denjë ku mund të lexojnë, por edhe të kalojnë kohën e lirë duke u angazhuar në aktivitete të ndryshme artistike, sociale dhe kulturore. Në “Ditën Ndërkombëtare të Librit” Bashkia e Tiranës përuroi ambientet e reja të Bibliotekës në Kombinat, e cila ofron kushte dhe një fond të gjerë librash të dhuruara kryesisht nga mësuesit, komuniteti dhe shtëpitë botuese. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se bashkia synon të ringrejë të gjitha bibliotekat e lagjeve, për të krijuar një mundësi më shumë për të rinjtë e apasionuar pas librit.

“Në komunitetet tona duhet të jenë gjithnjë më të rëndësishëm të rinjtë dhe të rejat e talentuara, jeta e të cilëve ndryshon nëpërmjet librave. E duke ndryshuar jetën e tyre, këta të rinj ndryshojnë edhe jetën e komunitetit ku jetojnë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Më tej, ai tha se projekti i kësaj biblioteke shërben edhe si një projekt pilot, për të parë nëse bibliotekat e lagjeve mund të funksionojnë edhe si qendra rinore, por pa humbur funksionin primar, librin.

“Më vjen mirë që Kombinati është stacioni ynë i parë ku ne rihapim bibliotekat e lagjes. Me pak inkurajim nga bashkia, mund ta bëjmë qendrën e Kombinatit në një shembull të ri, ku edhe Lapraka, edhe njësitë e tjera mund të vijnë dhe të shohin se si menaxhohet kjo si qendër komunitare, përtej funksionit si bibliotekë”, tha Veliaj. Ai shtoi se Bashkia e Tiranës do të rikonstruktojë të gjitha bibliotekat e lagjeve dhe do të shfrytëzojë të gjitha hapësirat dhe ambientet në pronësi të bashkisë për të mundësuar që ato të shërbejnë edhe si qendra komunitare.

Gjithashtu, kryebashkiaku u bëri thirrje banorëve të Kombinatit që të kontribuojnë në pasurimin e bibliotekës me libra që do t’i shërbejnë edukimit dhe rikthimin e të rinjve te libri. “Do të doja shumë që të gjithë bashkë të bëjmë një pakt qytetar, së pari ta kthejmë këtë në një qendër komunitare, në një qendër model ku jo vetëm lexohet, por ku bisedohet, ku debatohet, ku promovohet, ku nxisim edukatën qytetare”, deklaroi Veliaj.

Ndërkohë, shtëpia botuese “Dudaj”, në kuadër edhe të “Ditës Ndërkombëtare të Librit”, i ka dhuruar bibliotekës një fond librash, kryesisht për fëmijë, teksa përfaqësuesja e saj, Arlinda Dudaj, vlerësoi nismën e Bashkisë për të rikthyer vëmendjen e qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë të të rinjve, te libri. “Sot deklarojmë të hapur edhe projektin tonë “Qyteti i lexuesit”. Në fakt çfarë nënkupton ky projekt? Nuk mjafton që librat janë këtu. Librat janë këtu por e rëndësishme është rivitalizimi dhe prurja e sa më shumë njerëzve në bibliotekë. Jemi përpjekur të sjellim shumë libra për të gjitha grupmoshat, por sidomos për fëmijët sepse është një target shumë i rëndësishëm dhe një grupmoshë që lexon pak, edhe për shkak të teknologjisë”, tha Dudaj.

Bashkia e Tiranës do të nisë një projekt i cili synon që rikonstruktimin e bibliotekave të lagjeve, duke i shndërruar ato edhe në qendra rinore, që mund të shërbejnë për aktivitete artistike, sociale, kulturore, sportive, etj.