Bizneset angazhohen zyrtarisht për fuqizimin e grave në vendin e punës

Për herë të parë, 11 biznese që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të Tiranës, morën angazhimin për të integruar “Parimet Globale të Fuqizimit të Grave” në praktikat e tyre të punës. Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e UN Women, Drejtorët Ekzekutivë të kompanive të ndryshme në fushën e IT-së, ndërtimit, operimit bankar dhe telekomunikacionit, nënshkruan një deklaratë ku zyrtarizojnë mbështetjen e tyre për avancimin e barazisë midis grave dhe burrave.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili  theksoi se “sfida është krijimi i modeleve të suksesshme, duke filluar me këto 11 biznese që sot firmosin të parat Parimet e Fuqizimit të Gruas, të cilat duhet të ndihmohen të kthehen në histori suksesi sepse kështu do të kenë bërë një punë shumë herë më të madhe për fuqizimin e gruas shqiptare, se sa studimet apo strategjitë apo qoftë edhe ligjet që kalojmë”.

Veliaj shtoi se ka ardhur koha që ligjet kundër diskriminimit të fillojnë që të zbatohen edhe në praktikë. “Për çështjen e shanseve të barabarta dhe të përfshirjes në mosdiskriminim, sot kemi ligje shumë të mira, por ka ardhur koha që t’i zbatojmë. Kemi nisur një skemë jo kredish, por grante të vogla, për zonjat e zonjushat që kanë filluar një biznes. Kemi 18 të parat, po shohim si do shkojë ky projekt pilot. Unë jam optimist se do shkojë mirë për disa arsye, duke qenë se kemi një eksperiencë të ngjashme”, tha ai.

Kryebashkiaku deklaroi se një tjetër zotim është edhe ai që ka të bëjë me shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës. “Parimi tjetër që firmosim sot ka të bëjë me shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës. Sërish kemi disa shembuj që po funksionojnë shumë mirë. Në fillim bëmë propozimin që lejen e lindjes mund ta marrin edhe burrat e shtëpisë, sidomos kur llogaria të dikton që gruaja paguhet më mirë se burri. Atëherë lejen e lindjes ta shfrytëzojë burri dhe gruaja, që është në fakt ajo që sjell më shumë të ardhura në familje, ta ketë mundësinë, jo detyrimin që të zgjedhë se kush do të marrë lejen e lindjes”, tha Veliaj.

Një tjetër çështje e cila do të marrë një vëmendje edhe më të madhe është dhe ajo që ka të bëjë me çështjen e arsimimit e të trajnimit. “Besoj se kemi dhënë një shembull të mirë për vajzat dhe gratë në kërkim të një pune. Kemi ofruar që nga koha e ministrisë kurse falas të arsimit profesional. Por, besoj se kjo duhet të vlejë edhe për kompanitë. Në ato vendimmarrje që në dukje janë rutinë, mund të japin një formë krejt tjetër në mënyrën se si funksionojnë kompanitë tona”, tha ai, ndërsa theksoi se i gjithë ky proces do të jetë transparent.

Kryetari i Bashkisë vlerësoi rolin që luan gruaja në shoqëri, ndërsa theksoi se edhe një ndër arsyet që gjërat po shkojnë mirë në Bashkinë e Tiranës është se shumica e vendimmarrjeve është nga gratë. “Jemi e vetmja bashki që shumicën e ka grupi i grave këshilltare në Këshillin Bashkiak. Më vjen mirë që shumica e agjencive të Bashkisë dhe shumica e kabinetit tonë, pra shumica e atyre që janë në postet drejtuese, janë zonja dhe gra. Kjo është një nga arsyet pse bashkisë i kanë shkuar punët mirë, në mbledhjen e të ardhurave, në financa dhe në kompanitë publike. Duhet të pranojmë që tani sfida është në anën e biznesit, për disa arsye. Në momentin që kemi vendosur diskriminim pozitiv, një sistem kuotash që po shpërblen, besoj se është më e ndershme që sistemi politik këtë t’ia kërkojë edhe biznesit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të shërbejë edhe si një etalon që do të duhet të merret shembull nga bashkitë e tjera në Shqipëri. Disa nga veprimet konkrete që këto kompani do të ndërmarrin për promovimin e barazisë gjinore janë: politika me tolerancë zero ndaj diskriminimit dhe dhunës ndaj grave në vendin e punës, trajnime për punonjëset e tyre dhe gratë sipërmarrëse apo përdorimi i indikatorëve për të matur zhvillimin profesional të punonjëseve gra.

Bashkia e Tiranës, me mbështetjen teknike të UN WOMEN në Shqipëri, ka zhvilluar gjatë vitit një seri trajnimesh për dhjetëra biznese të cilat operojnë në Tiranë me qëllim rritjen e barazisë gjinore dhe rritjen e pjesëmarrjes së të gjithë aktorëve.