Çelësi i Qytetit për këngëtaren Dua Lipa

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dorëzuar sot Çelësin e Qytetit këngëtares së njohur me origjinë shqiptare, Dua Lipa. Në një pritje të organizuar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj i ka shprehur mirënjohjen këngëtares me famë ndërkombëtare dhe i ka dorëzuar një prej simboleve që u jepet miqve të qytetit. Kryebashkiaku Veliaj tha se ndihet shumë i lumtur që i dorëzon Çelësin e Qytetit një vajze që frymëzon shumë njerëz.

“Tani Prishtina dhe Tirana janë një, kështu që nuk je veç gocë e Prishtinës dhe e Kosovës, je edhe e Shqipërisë dhe e Tiranës. Unë jam shumë i lumtur për ty dhe në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës dua që ta ruash Çelësin dhe të kthehesh sërish këtu, teksa shkëlqen e bëhesh më e famshme, duke frymëzuar shumë njerëz”, tha Veliaj.

“Besoj që është një mënyrë për të frymëzuar djem edhe vajza të rinj që ta ndjekin këtë model dhe të kuptojnë që me punë, me energji, me talent mund të kapen gjëra që ndoshta duken të pamundura, por që njerëz si ty e provojnë që mundet me ia dalë. Besoj që për shumë djem dhe vajza, Dua Lipa është një histori frymëzimi dhe mezi pres që historinë e saj ta ndajë me ne edhe sot në qytet”, u shpreh Veliaj.

Këngëtarja Dua Lipa tha se për të është një privilegj që ndodhet në kryeqytetin shqiptar për të performuar. “Është një privilegj shumë i madh për mua të vij pas një kohe shumë të gjatë dhe të më prisni në Tiranë. Dua të theksoj se ndjej një përgjegjësi shumë të madhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Jam shumë krenare që jam shqiptare dhe ju falenderoj shumë për këtë mundësi që të jem me të gjithë shqiptarët”, u shpreh Dua Lipa.