Çelet Pazari i Ri, hapësira multifunksionale ku ndërthuret e djeshmja me të sotmen

Veliaj dhe Rama ne celjen e Pazarit te Ri (13)

Në Ditën e Verës, Pazari i Ri hapi dyert për të gjithë qytetarët, ku 308 biznese kanë filluar aktivitetin e tyre ekonomik duke gjeneruar mbi 1000 vende të reja pune. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e Qeverisë dhe të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit (AADF), e gjithë kjo zonë është transformuar në një hapësirë që do të funksionojë 24 orë, ku paradite fokusi më i madh do të jetë te tregtia dhe pazari, kurse pasdite te kulinaria, restorantet rreth e rrotull dhe aktivitete të tjera kulturore, festa e panaire.

 Në ceremoninë e hapjes së Pazarit të Ri morën pjesë Kryeministri Edi Rama, ministra, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe deputetë. Kreu i qeverisë, Edi Rama, vlerësoi transformimin e thellë që ka pësuar kjo zonë, si dëshmia më e mirë e fuqisë së votës. “Vetëm 2 vjet më parë, këtu ishim akoma si 100 vjet më parë. Në një zonë ku secili përpiqej të mbijetonte në tezgën e vet, i rrethuar nga pluhuri, duke ecur përmbi puseta të hapura, duke përballuar baltën, mizat, insektet dhe bërrylat e njëri-tjetrit dhe vetëm sot mund të shikojmë se çfarë fuqie ka vota, çfarë fuqie ka pjesëmarrja e të gjithëve në procesin e qeverisjes së komunitetit duke bërë zgjedhjen e duhur. Parafytyroni si do të ishte sot këtu sikur në vitin 2015 Bashkia e Tiranës të mos ishte kthyer nga një konvikt me dhomë të madhe gjumi, ku gërhiste Kryetari i Bashkisë, në një shtëpi të përbashkët të komunitetit ku mendohet ditë-natë për njerëzit, për zonat, për familjet, për fëmijët, për të moshuarit dhe ku ditë-natë bëhen projektet e transformimit të madh që ka rifilluar”, tha Kryeministri Rama në fjalën e tij.

 Ai theksoi se ky projekt është i udhëhequr me vendosmëri dhe me vullnet të jashtëzakonshëm nga Bashkia e Tiranës. “Të dashur miq unë nuk dua sot të marr kohën që i takon Kryetarit të Bashkisë sepse ky projekt është një projekt i udhëhequr me frymëzim, me vendosmëri, mbi të gjitha me një vullnet të jashtëzakonshëm prej tij, në radhë të parë, se unë e di shumë mirë çfarë do të thotë të prishësh gjëra të vjetra për të ndërtuar gjëra të reja dhe sa e vështirë është në fillim për njerëzit që të bëhen pjesë e një projekti, që në fund të ditës është për ta. Ky është ndryshimi i madh mes nesh dhe atyre që qëndrojnë atje në mes të bulevardit dhe vazhdojnë marrin rroga nga paratë tuaja, nga paratë e taksave tuaja. Ndërkohë, këta njerëz që fillojnë punën këtu sot do të marrin rroga nga puna e tyre dhe do të paguajnë taksa për të vazhduar në pjesë të tjera të Tiranës, për të vazhduar më tutje me projektet tona”, tha ai.

 Duke uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Verës, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi transformimin e Pazarit të Ri një punë fantastike që është bërë e mundur falë vendosmërisë për punë dhe për të qenë të bashkuar në çdo vendimmarrje. “Ja ku jemi sot, ia dolëm, bravo ju qoftë të gjithëve dhe nëse ka një simbolikë të madhe ky Pazar i Ri ka të bëjë me dy gjëra të rëndësishme për të cilat flasim shumë pak në Shqipëri: ka të bëjë me punën dhe me besimin te puna si një vlerë, jo si një vlerë vetëm për të ushqyer familjen, por si një vlerë ku si shqiptarë besojmë dhe e dyta, te bashkimi, te bashkëpunimi, te lidhja e duarve me njëri-tjetrin për të arritur gjëra që veç e veç nuk u bëjmë dot, por të gjithë bashkë mund t’ia dalim siç ia dolëm te Pazari i Ri”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 Veliaj bëri të ditur se ky investim ka gjeneruar një numër të konsiderueshëm biznesesh, të përkthyera këto në mbi 1 mijë vende pune. “Komplet për rastësi, edhe sfondi klasik edhe ndoshta foto ose peizazhi më i fotografuar i pazarit i ngjan një çadre. Kjo është gjithashtu një çadër, por është një çadër e punës. Nga sot fillojnë punë 1007 veta në 308 biznese të Pazarit të Ri. Ne besojmë te një çadër e punës. Ndaj miqtë e mi, kemi humbur shumë kohë me tollovi, shumë kohë me sherre, shume kohë me fjalë. Ka ardhur koha të përveshim mëngët, ta çojmë Tiranën më lart, ta çojmë Shqipërinë më lart, me njerëzit e punës dhe me njerëzit e bashkimit” shtoi Veliaj.

 Veliaj tha se Pazari i ri është tashmë një hapësirë që rrezaton zhvillim duke sjellë një model të ri. “Janë me dhjetëra biznese që kanë marrë hapësira me qira dhe dhjetëra e dhjetëra të tjera që janë ende sot duke kërkuar dhe që dalëngadalë do të akomodohen në rrugët e rrugicat përreth. Bëhet fjalë për disa nga bizneset më inovative, më të mirëadministruara dhe më me emër të Tiranës, që do të sjellin këtu një tjetër model zhvillimi dhe do të garantojnë që ky zhvillim do të shtrihet përtej hapësirës së Pazarit të Ri”.

 Veliaj theksoi se ky projekt sjell për herë të parë në Tiranë një kulturë të re të të bërit biznes dhe të bashkëpunimit mes bizneseve. “Kjo zonë do të ketë administrimin e saj, ku paratë që do të mblidhen nga tarifat dhe reklamat do të riinvestohen për mirëmbajtje dhe zhvillim”, tha Veliaj duke shtuar se çelësi i këtij suksesi është puna, por edhe mbështetja e pakursyer që Bashkia e Tiranës ka pasur nga miq të mirë e mbi të gjitha nga Kryeministri. “Të gjitha këto punë, të gjitha këto projekte që po transformojnë sot jetën e qytetarëve të Tiranës janë në fakt një ftesë për ta mbështetur këtë bashkëpunim edhe në 18 qershor duke votuar për Edi Ramën”, tha Veliaj.

 Ai ka falënderuar në mënyrë të veçantë Fondin Shqiptaro-Amerikan për besimin dhe bashkëpunimin që ka patur me Bashkinë e Tiranës, duke i dhuruar qytetit në një kohë fare të shkurtër një nga projektet më të rëndësishme jo vetëm historike dhe kulturore, por më së shumti ekonomike dhe sociale. Kryebashkiaku Veliaj falënderoi edhe Kryeministrin Rama për mbështetjen e vazhdueshme në punët publike të kryeqytetit. “Pazari i Ri është një nga ato projekte madhore që nuk do të kishin qenë të mundura pa Edi Ramën kryeministër. Është një fat i madh për Bashkinë e Tiranës, por edhe një fat i madh për qytetarët e Tiranës që sot kemi një kryeministër që e do kaq shumë këtë qytet dhe e mbështet atë aq shumë”, tha ai. Kreu i Bashkisë u shpreh se falë kësaj ndërhyrjeje, e gjithë vlera e kësaj zone është rritur me 40 deri në 50%.

 Bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, (AADF), Martin Mata, ndërsa falënderoi Bashkinë e Tiranës për realizimin e këtij projekti, theksoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë shumë shpejt edhe me zona të tjera të Tiranës. “Ka shumë për të thënë sot në fakt, por gjithë kjo që shikojmë prapa është një nga ato punë që flet më shumë sesa 1 mijë fjalë. Është një model, i cili ka justifikuar  më së miri origjinën e lekëve tona, të ardhura nga qeveria Amerikane dhe detyrimin tonë të madh për t’i shërbyer të gjithë njerëzve, në mënyrën më të mirë dhe më të qëndrueshme. Ajo çka ndodhi në këto vite, ja vlen të ndahet me ju sot. Pazari i Ri i Tiranës përveç se ka marrë një investim jo të pakët nga ana e fondacionit, rreth 3 milionë dollarë, u bë vend-takimi i të djeshmes me modernen. U bë vendtakimi i disa mendjeve më krijuese dhe më të talentuara të arkitekturës, të cilët drejtuan me shumë pasion, kanë dhënë këtë kryevepër që shihni mbrapa. Një falenderim të veçantë Kryetarit të Bashkisë, Erion je i veçantë në mënyrën sesi frymëzon dhe në mënyrën sesi zgjidh problemet e shumta që dalin dhe i vetmi premtim që kemi në emër të fondacionit është që, ky është vetëm fillimi”, tha Mata.

 Ndërhyrja e plotë në sheshin e Avni Rustemi dhe në Pazarin e Ri ka krijuar të gjitha kushtet për Markatën e Mishit dhe të Peshkut dhe në Markatën e Fruta Perimeve. Në Markatën e Mishit dhe të Peshkut janë vendosur 25 njësi shërbimi nga të cilat ka shitje mishi, peshku, brumeri si dhe bare e restorante duke i sjellë kësaj markate karakter multifunksional. Ndërsa Markata e Gjelbërt (Markata e Fruta Perimeve) është konceptuar si një stilizim kontemporan i çative të shtëpive tradicionale tiranase, por e trajtuar me materiale rezistente dhe të kohës. Në këtë objekt janë akomoduar 169 tezga me një total prej 120 tregtarësh, ku 80 % janë tregtarë ekzistues të Pazarit të Ri para rikonstruksionit, 10% janë me produktet nga njësitë administrative (ish Komunat) dhe 10% janë modelet inovative më të mirat në treg. Në total numri i bizneseve arrin në 308 dhe gjenerohen mbi 1 mijë vende pune. Rivitalizimi i sheshit Avni Rustemi, një prej pjesëve më kritike që ka patur ky Pazar, tashmë ofron mundësi të panumërta për aktivitete në çdo orë të ditës, që së bashku me rikonstruksionin e godinave përreth, e ka kthyer zonën në një pikë mjaft atraktive për turizëm.