Celet për tifozët “Tirana Fan Zone”

Tifozët e kombëtares kanë mundësi ta ndjekin Kampionatin Evropian të futbollit “Francë 2016” në hapësirën e posaçme “Tirana Fan Zone” në sheshin “Nënë Tereza”. Nëpërmjet një ekrani gjigand të vendosur në qendër të sheshit, por edhe në shoqërinë e aktiviteteve të ndryshme, qytetarët do mund të shijojnë 30 ditët e Kampionatit Evropian. Punimet e fundit para se “Tirana Fan Zone” të presë spektatorët e futbollit sot në mbrëmje u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se me “Tirana Fan Zone” Tirana i bashkohet qyteteve moderne evropiane që i kushtojnë hapësira të posaçme tifozerisë në evenimente të tilla.

“Ky vit është i veçantë pasi tifozeria shqiptare është më e ndezur se kurrë për faktin se Shqipëria tashmë ka arritur fitoren historike. Unë besoj se kemi arsye për t’u gëzuar, por edhe një hapësirë fantastike për të kaluar kohë me familjet dhe me fëmijët. Ne kemi menduar që zona të funksionojë 24 orë, pra do të funksionojë pasditeve dhe mbrëmjeve për ndeshjet, por edhe gjatë paradites duke u përshtatur për shumë aktivitete”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi se Kampionati Evropian dhe kjo hapësirë është një mundësi e mirë edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët, por në mënyrë të veçantë të rinjtë, të merren me sport për të pasur një jetë të shëndetshme.

“Ne kemi disa fusha ku duam që të zhvillohet sport dhe të ketë aktivitete sportive. Besojmë që është fat që Shqipëria është në finale, por besojmë gjithashtu se duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi edhe për të sensibilizuar njerëzit për sportin. Dashuria për sportin nuk është vetëm me brohorima, por edhe duke u marrë me sport”, u shpreh ai. Për këtë arsye, por edhe për të mbështetur kombëtaren tonë të futbollit, Veliaj ka ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen festës së Kampionatit Evropian në “Tirana Fan Zone”.

“Në ditët e ndeshjeve kryesore përgatitemi të presim deri në 30 mijë spektatorë qytetarë të Tiranës, duam të ftojmë të gjithë të vijnë, ta përdorin këtë si një mundësi për të qenë pak më të shëndetshëm. Kemi marrë të gjitha masat edhe për çështje të higjienës e pastrimit, të nevojave personale, pra kemi një kampus të vërtetë, shumë të ngjashëm me atë shihni në të gjitha kryeqytetet  evropiane dhe i ftoj të gjithë qytetarët jo vetëm të argëtohen, por edhe të ndihmojnë që ta mbajnë pastër, të mos vandalizojnë e të mos ndotin. Kështu tregohemi evropianë të vërtetë, jo vetëm kur Bashkia bën infrastrukturën, por kur të gjithë qytetarët na japin një dorë”, u shpreh kryetari i Bashkisë.