Certifikata mirënjohjeje për donatorët që kontribuuan me rikonstruksionin e kopshteve

Bashkia e Tiranës ka falenderuar sot 23 donatorët që i janë përgjigjur thirrjes për rikonstruktimin e të gjitha kopshteve të kryeqytetit. Në një ceremoni të veçantë, e organizuar në ambientet e “Resë”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzoi përfaqësuesve të kompanive donatore certifikatat e mirënjohjes për kontributin e dhënë për t’i bërë kopshtet më të mirë dhe të denjë për më të vegjlit e qytetit. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj vuri në dukje se pavarësisht masës së kontributit që ka dhënë gjithsecili, Bashkia e Tiranës i është njësoj mirënjohës, pasi falë ndihmës së tyre deri në fund të vitit të gjitha kopshtet do të jenë gati për fëmijët.

“Janë një sërë kompanish që kanë dhuruar në mënyra të ndryshme, por sot dua t’u them se u jemi pafundësisht dhe njësoj mirënjohës”, tha Veliaj. Ai theksoi se në filozofinë e punës së tij është vëmendja ndaj fëmijëve të qytetit dhe falë kontributit të biznesit apo individëve të ndryshëm deri në fund të vitit 2015 u bë e mundur rikonstruksioni i të gjitha çerdheve, kurse tani po vijon puna me rikonstruksionin e të gjitha kopshteve. “Përpara se të shqetësohemi për llogaritë e politikës, le të fitojmë zemrat e 250 mijë fëmijëve të Tiranës. Nëse kemi punuar për fëmijët, komunitetin më të madh që nuk voton, por që meriton të ketë po aq zë dhe po aq pjesë të të ardhurave dhe të investimeve të Bashkisë së Tiranës sa të rriturit, besoj se kemi marrë vendimin e duhur dhe jemi në rrugën e drejtë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Sipas tij, rikonstruksioni i godinave dhe ambienteve ekzistuese gjithsesi, nuk mjafton për të kënaqur pritshmërinë e prindërve që i çojnë fëmijët në çerdhe e kopshte. Ndaj, ai ka deklaruar se Bashkia e Tiranës do të marrë ambiente me qera për t’i shndërruar ato në çerdhe dhe kopshte, në mënyrë që të plotësohen kërkesat e prindërve të Tiranës. “Në pamundësi për t’i akomoduar të gjithë, duke qenë se kemi një listë pritjeje, ndërsa në kopshte e çerdhe private ka shumë boshllëqe, kemi marrë vendimin për të marrë me qera hapësira për kopshte e çerdhe publike në pamundësi për t’i ndërtuar ato më shpejt. Këtë do t’ia propozojmë Këshillit Bashkiak dhe besoj se është një mënyrë se si ne shkurtojmë radhët, duke qenë se prej punës së mirë dhe standardit të rritur, na janë rritur edhe kërkesat, radha është shumë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Gjithashtu, ai shtoi se brenda kësaj jave zbardhet edhe vendimi i Këshillit Bashkiak me anë të cilit bëhet e mundur indeksimi i pagave të edukatorëve të çerdheve dhe kopshteve. “Dua të falenderoj Këshillin Bashkiak që, megjithë vështirësitë financiare që ka Tirana, por falë biznesit që në mënyrë të paprecedentë është treguar korrekt me taksat e Bashkisë së Tiranës, kemi pasur vitin më të mirë financiar të Bashkisë në 5 vitet e fundit. Besoj se është vendimi më i saktë që ka marrë Këshilli Bashkiak për të indeksuar e për t’u siguruar që edhe rrogat e edukatoreve në kopshte e çerdhe trajtohen njësoj si gjithë rrogat e tjera në sistemin e Bashkisë së Tiranës”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se vitin e ardhshëm Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave. “Kemi zgjedhur një taktikë të mirë që çdo vit pune i Bashkisë së Tiranës ka një temë të caktuar. Në vitin 2015 tema ishin çerdhet, në vitin 2016 tema janë kopshtet, vitin tjetër tema do të jenë shkollat. Kjo është arsyeja pse i kemi ndarë punët në këtë mënyrë. Sigurisht që, kjo ka të bëjë edhe me filozofinë tonë”, përfundoi Veliaj.