Dëgjesë me ekspertë për parqet

Bashkia e Tiranës merr eksperiencat më të mira botërore për ta bërë qytetin e Tiranës të jetushëm për të gjitha moshat, përmes shtimit të hapësirave të gjelbra dhe rekreative, si dhe zbatimin e sistemeve të lëvizjes që nxisin një jetë më të shëndetshme. Këtij qëllimi i ka shërbyer konferenca e sotme e një prej ekspertëve më të mirë, Gil Penalosa, këshilltar i disa kryetarëve bashkie në botë dhe i pasionuar ndaj krijimit të qyteteve që ofrojnë mundësi të mira jetese për të gjithë, autor i më shumë se 200 parqeve. Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka vlerësuar se filozofia e Penalosës për zhvillimin e qyteteve është ajo për të cilën ka nevojë edhe Tirana.

“Nëse një qytet është miqësor, më i mirë dhe i aksesueshëm nga një 8-vjeçar dhe një 80-vjeçar, do të thotë se është i aksesueshëm dhe miqësor edhe për moshat midis tyre. Me këtë filozofi, miku ynë do të na prezantojë disa projekte të suksesshme që mund të frymëzojnë ide konkrete, të cilat mund t’i zbatojmë së shpejti në Tiranë”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi se sot Tirana është më e gjelbëruar nga sa ishte 10 muaj më parë, por gjithsesi kjo nuk mjafton.

“Dje mbollëm pemën tonë të 10 mijë tek liqeni dhe shkollat 9-vjeçare të Tiranës. Qyteti sot është më i ndriçuar. Kaluam nga një situatë ku kishim vetëm 30% të qytetit të ndriçuar, jemi në një situatë ku kemi 60% të qytetit të ndriçuar. Me gjithë këto arritje prapë mendoj se kemi shumë për të bërë, ndonëse jemi në fazën ku nuk krahasohemi me administratën e kaluar”, shtoi kryebashkiaku. Ai u shpreh se tashmë qyteti e ka kaluar fazën e tij të emergjencës, ndaj edhe duhet të mendojmë më shumë për ndërhyrje që sjellin ndryshime afatgjatë në jetën e qytetarëve.

“Tani duhet të shkojmë në një nivel tjetër, si të konceptojmë jo më Tiranën e emergjencave të këtyre 10 muajve të fundit, por Tiranën e ëndrrave që duam të menaxhojmë në vitet në vazhdim”, deklaroi Veliaj. Ndaj, theksoi ai, është e rëndësishme që në këtë fazë të mësojmë nga eksperienca pozitive e të tjerëve. “Miku që kemi ftuar sot ka qenë drejtues i Agjencisë së Parqeve në Bogota. Historitë e suksesit të Bogotasë, që cilësohet si një nga qytetet më të mirëmenaxhuara në të gjithë hemisferën perëndimore, besoj se do të na frymëzojnë edhe këtu në Tiranë, por mbi të gjitha secilën prej agjencive tona do ta fuqizojnë me ide konkrete se si mund të transformohet qyteti”, tha Veliaj.

Ai solli në vëmendje disa nga projektet që ka nisur të zbatojë Bashkia e Tiranës në funksion të bërjes së Tiranës një qytet më të jetueshëm, duke përmendur këtu nismën “Tirana pa makina”, kthimin e sheshit “Skënderbej” në pedonale, investimin në parkun e Kasharit, Vaqarrit dhe Farkës, për t’i kthyer ato në tre mushkëri të tjera për qytetin. “Dilema është: qyteti dhe menaxhimi i tij nënkupton vetëm infrastrukturë apo nënkupton edhe kulturë? Nënkupton vetëm ndryshim të rrugës, të asfaltit, të vijave, të semaforëve, tabelave apo edhe një konceptim komplet tjetër të kulturës së shëndetshme të njerëzve që ecin, që vrapojnë, që pedalojnë, që kalojnë kohën me natyrën?”, theksoi Veliaj.

Ndërkohë, duke sjellë përvojën e tij si komisioner për transformimin e sistemit të parqeve të Bogotasë në Kolumbi dhe si drejtor i Bordit të Parqeve Urbane Botërore, Gil Penalosa shprehu nevojën për krijimin dhe përdorimin e parqeve dhe rrugëve si ambiente sociale, si dhe lëvizshmërinë e qëndrueshme: ecjen, biçikletat, përdorimin e transportit publik, si dhe një vizion të ri mbi përdorimin e makinave.

“Ky është një qytet vërtet i mrekullueshëm, por gjithashtu ka qenë një qytet mbytës nga makinat. Më pëlqen shumë ideja që të kemi një ditë pa makina, në Kolumbi ne kemi 1 ditë pa makina 1 herë në vit. Asnjë makinë, në të gjithë qytetin, 1 qytet me 8 milionë persona. Këtu në Tiranë njerëzit që shkojnë me makinë harxhojnë 25-30% të të ardhurave të tyre për transportin dhe kufizimi i tyre do të ndihmonte në shumë këndvështrime, do të na ndihmonte të takonim njerëzit, do të na ndihmonte që fëmijët të lidheshin me natyrën, me nënën, babain”, tha Penalosa.

Ai e konsideroi si tepër të rëndësishme faktin që edhe Tirana mund të përfitojë më të mirën nga praktikat botërore dhe të mos përsërisë të njëjtat gabime që janë bërë në vende të ndryshme. “Ju mund të thoni se Tirana nuk ka gjë të ngjashme me Bogotanë dhe Nju Jorkun. E di që ju jeni unikë, kështu që dëgjoni çfarë po ju them unë: përqendrohuni te të tjerët, por mos kopjoni. E dimë që jeni unik, çdo rrugë e Tiranës është unike në vetvete, ndaj mos kopjoni, por përshtatuni që të mos bëni të njëjtat gabime që kanë bërë qytetet e tjera. Por, këtë duhet ta bëjmë shpejt, duhet të ecim shpejt në Tiranë”, përfundoi Penalosa.