Dëgjesë me njësinë nr. 5 për sheshin “Skënderbej”

Bashkia e Tiranës vijoi sot në Njësinë Administrative Nr. 5 turin e prezantimit dhe dëgjesave me qytetarët për projektin e transformimit të sheshit “Skënderbej”. Në takimin ku morën pjesë deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, drejtues të Njësisë Administrative nr. 5, anëtarë të Këshillit Bashkiak, si dhe arkitektë e urbanistë, kryebashkiaku Veliaj theksoi se projekti i jep Tiranës sheshin që meriton si qendra e gjithë shqiptarëve.

“Kemi bërë një balancim midis pjesës me pllakë dhe asaj me gjelbërim, duke i dhënë secilës 50 për qind hapësirë. Të dyja këto elementë, edhe pllakat e gurit, do të vijnë nga të gjitha rajonet e Shqipërisë”, tha kryetari i Bashkisë. Ai theksoi se projekti i sheshit “Skënderbej” parashikon kthimin e tij në një zonë pedonale, e cila do t’i kushtohet tërësisht qytetarëve dhe aktiviteteve të tjera social-kulturore. “Vetëm kështu shkojmë nga rrethrrotullimi që kemi, në një piacë dhe hapësirë shumë më serioze, si në çdo vend të botës”, shtoi Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku tha se është i vendosur që t’i përmbahet të gjitha premtimeve që ka bërë gjatë fushatës edhe për Njësinë Administrative nr. 5. “Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët e Tiranës, që çdo premtim që është dhënë në fushatë, edhe në këtë njësi, do të mbahet 100% nga Bashkia e Tiranës. Do të mbajmë edhe premtimin për të mbaruar në 1 qershor këndin e lodrave, pa kafene, pa pemë të prera, por me një hapësirë spektakolare, ku të gjithë fëmijët e qytetit të jenë të parët që përfitojnë”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se do të mbajë premtimin për të mos lejuar ndërtimin e pallateve te Diga e Liqenit, që banorët e kësaj zone të mos jenë të rrezikuar nga uji i liqenit. “Për këdo që ndoshta nuk e ka të qartë, po e përsëris: Nuk do të ketë ndërtime në digë. Nuk më intereson fare se çfarë mund të gatuajë një gjykatë, se sa mund të tundohen gjyqtarët, se sa para derdhen për këto gjyqe. Më intereson populli i Tiranës. Në qoftë se populli i Tiranës nuk do që të ketë ndërtim te diga e Liqenit, nuk do të ketë”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Nisur nga interesi i qytetarëve në këtë çështje, kryetari i Bashkisë i ka kërkuar gjykatës që të marrë një vendim të drejtë. “I bëj thirrje gjykatës të mos tundohet. Turpi ndaj tradhtisë së popullit tënd është shumë herë më i fuqishëm se asprat që mund të japë dikush në gjykatë”, tha Veliaj. Ai theksoi se e gjithë zona poshtë Digës së Liqenit duhet t’i shërbejë qytetarëve, kryesisht nëpërmjet nxitjes së aktiviteteve sportive. “Në vjeshtë mbarojmë fazën e parë të Parkut Olimpik. Ardhja e këtij parku në njësinë 5 do të sjellë më shumë punësim. Të gjitha ekipet e Shqipërisë do të vinë këtu. Do të thotë se zona do të marrë vlerë tjetër dhe arsyeja pse e përmend Parkun Olimpik është shumë e thjeshtë: Vizioni ynë për terrenet poshtë digës është që të jenë në funksion të qytetarëve, banorëve, në funksion të sportit dhe sigurisë të jetës së njeriut”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku ka denoncuar edhe përpjekjen që struktura të veçanta shtetërore po bëjnë për të bllokuar punët dhe projektet e Bashkisë së Tiranës. “Siç e shikoni Bashkia e Tiranës është në një situatë të paprecedentë, segmente të shtetit shqiptar nuk funksionojnë në favor të qytetit të Tiranës. Sot shumë projekte janë duke u debatuar në gjykatë, ndërkohë që ne duhet t’i kishim mbaruar. Për herë të parë në historinë e vendit tonë ndërtuesit e pallateve vijnë dhe protestojnë te bashkia. Unë i kuptoj njerëzit që janë hallexhinj, që kanë probleme, që kanë qëndrime të ndryshme, por milionerët që të vinë e të protestojnë, kjo ishte diçka e pashoqe!”, përfundoi Veliaj.