Deklaratë e Bashkisë së Tiranës për ngjarjen e sotme te Parku i Liqenit

Sot, një grup i vogël njerëzish, me veprime vandalësh, u përfshinë në dëmtime masive të pronës publike, të pronës së përbashkët të të gjithë qytetarëve të Tiranës, duke sulmuar e prishur objekte për të penguar sërish punimet për Parkun e Lodrave të Fëmijëve. Të udhëhequr nga eksponentë të Partisë Demokratike, për të disatën herë kanë dëmtuar pronën e qytetit, duke krijuar dëme materiale dhe vonuar punimet për të ofruar një shërbim të munguar, që është një ëndërr e fëmijëve të qytetit, por edhe e prindërve, gjysheve, gjyshërve tanë.

Një minorancë e zhurmshme po i kundërvihet aspiratave të shumicës së qytetarëve që e duan zhvillimin e qytetit. Janë të njëjtit njerëz që për 4 vjet e lanë qytetin të dergjet në plehra, rrugë e trotuarë të degradojnë, ndriçimin e qytetit dhe të vetë parkut të shuhet, që lanë lokalet të mbijnë si kërpudha në të gjithë hapësirën e parkut, ata që deri dje e hëngrën parkun e Tiranës nga të gjitha anët, që nuk mbollën asnjë pemë e që s’lanë pemë pa hedhur përtokë, që hapën gropa për pallatë shumëkatëshe, të cilat ende i qajnë që ju mbetën veç gropë, sot veshin petkun e dashnorëve të pemëve dhe që sot, duke servirur informacione të pavërteta, duke trumpetuar tmerre të paqena, duan me çdo kusht që Parku i Lodrave për Fëmijët të mos mbarojë.

Ata nuk e duan një zhvillim të tillë, pasi secili sukses i Bashkisë së Tiranës është provë e mëtejshme e dështimit të Lulzim Bashës. Rrugët e pastra tani, tregojnë qartë se ai dështoi me pastrimin; rrugët e riparuara tregojnë se mirëmbajtja është e mundur, por ai nuk dinte ta bënte; çerdhet e rregulluara tregojnë se ai i la pasdore fëmijët e qytetit tonë, e kështu me rradhë për çdo punë të kryer.

Kjo është arsyeja e vërtetë përse i janë turrur parkut të lojërave.

Bashkia e Tiranës mbetet e vendosur për të vijuar për t’i shërbyer çdo ditë qytetarëve dhe për të sjellë projekte që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës. Aspiratat e qytetit nuk mund të pengohen nga vandalët e zhurmshëm.