Dhjetëra aktivitete festive me rastin e Ditës së Verës

Argëtim, sport, muzikë, produkte artizanale dhe bio të zonës, ushqime tradicionale, ishin çfarë ofroi sot Bashkia e Tiranës në dhjetëra aktivitete të organizuara për Ditën e Verës. Mijëra qytetarë të të gjitha moshave, të ardhur jo vetëm nga Tirana, por edhe rrethet, janë bërë pjesë e festimeve të shumta të organizuara në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, parku “Rinia”, kodrat e Liqenit, lulishtja tek sheshi “Skënderbej”, sheshi “Nënë Tereza”, si dhe zona te Blloku, të cilat që nga orët e para të ditës janë kthyer në hapësira festive për këdo që sot kishte zgjedhur Tiranën për të festuar Ditën e Verës.

Festës i është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili pasi është përshëndetur me qytetarë të shumtë, ndoqi nga afër një pjesë të mirë të aktiviteteve të sotme, si dhe përcolli urimin e tij për të gjithë qytetarët e Tiranës. “Gëzuar Ditën e Verës! Sot fillon një stinë e re, një stinë e mbarë, ndaj u uroj të gjithëve mbarësi shëndet, jetë, lumturi në familjet e tyre. Fokusi për Bashkinë e Tiranës edhe në këtë ditë vere, ashtu si në të gjithë këtë vit, kanë qenë fëmijët, ndaj shumica e aktiviteteve ka pasur për qëllim argëtimin e tyre. Edhe shumica e punëve të Bashkisë së Tiranës ka pasur si qëllim fëmijët, duke u fokusuar te kopshtet, çerdhet, shkollat”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Më tej, ai shtoi se ky do të jetë një vit fantastik për Tiranën, pasi Bashkia ka vendosur që të hapë disa kantiere pune, duke filluar nga ai për Sheshin “Skëndërbej”. “Shumë shpejt do të fillojmë me punimet në sheshin “Skënderbej”, fillimisht me dy muaj konsultime publike për t’u siguruar që në fund të këtij projekti, të kemi ndoshta sheshin më të bukur në rajon. Në sheshin “Skënderbej” do të ketë gurë dhe pllaka nga e gjithë Shqipëria, për të treguar unitetin kombëtar, pemë e bimë nga e gjithë Shqipëria, për të treguar përfaqësimin kombëtar dhe besoj se ky është vetëm një nga shumë projektet që Tirana të kthehet në kantier ndërtimi për këtë vit”, u shpreh Veliaj.

Duke filluar nga ora 09:00, u çel Panairi Eko, ku u bënë pjesë kompani lulesh, si dhe disa sipërmarrje riciklimi. Gjithashtu, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u hap edhe Panairi Ushqimor “Markata e Gjelbër”, me produkte bio të zonave përreth Tiranës. Bashkia e Tiranës kishte menduar në këtë ditë edhe për të vegjlit, për të cilët kishte organizuar paradën e nxënësve, ku rreth 1000 fëmijë të veshur më uniforma të gjelbra dhe kafe, u vendosen në formën e një peme sipas koreografisë së veçantë nën moton “Jeto Eko, Festo Eko”, ndërkohë që një hapësirë tjetër i ishte lënë “Bike Fest-Pump Track BMX & MTB Shoë” ku u zhvilluan akrobaci nga profesioniste me biçikleta, gara për fëmijë dhe të rritur.

Për më të vegjlit ishte vënë në dispozicion edhe një kënd lojërash për fëmijë në Parkun “Rinia” me animatorë profesionistë, face painting, artistë me balona, maskota. Ndërsa, në lulishten pas monumentit të Skënderbeut u organizua “Dita e Balonave”. Për më të rriturit ishin në dispozicion disa fusha për tenis, basketboll, minifutball, si dhe sporte të veçanta. Edhe institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës ofruan sot shfaqje për fëmijë dhe të rritur. Teatri Kombëtar i Kukullave dha shfaqje argëtuese për fëmijë, ndërsa Cirku i Tiranës ka organizuar performanca të ndryshme argëtuese për fëmijë dhe të rritur.

Festës nuk i mungoi as muzika, ku grupe të ndryshme muzikore dhe kërcimi sollën një atmosferë tjetër për të pranishmit në rrugët e sheshet e kryeqytetit. Ansambli i Tiranës solli kërcime të ndryshme me motive tradicionale të zonës dhe të festës së 14 Marsit. Ndërsa DJ e grupe xhazi, sollën muzikën moderne për më të rinjtë. Ndërkohë që këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare si Sidrit Bejleri, Juliana Pasha, Kaos, Era Istrefi, Ledri Vula, etj mbajtën një koncert në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Aktivitetet festive me rastin e kësaj dite mbyllen në mesnatë me “Telecom Albania Street Party” dhe koncerte alternative me të ftuar të ndryshëm si Tuna & Cozman, Dj Blunt & Real, 21 DJ në rrugët e Bllokut.