Seri konsultimesh publike për Planin Vendor 2016-2030

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar sot se për ndërtimin e këndit të lojërave te parku i Liqenit Artificial nuk do të pritet asnjë pemë dhe s’do të ndërtohet asnjë lokal apo restorant. Gjatë prezantimit të vizionit për Planin Urbanistik të Tiranës nga arkitekti i njohur italian, Stefano Boeri, Veliaj sqaroi se për këndin e lojërave te Parku i Liqenit janë zhvilluar 24 dëgjesa në diskutimet për buxhetin e vitit 2016, ashtu si edhe projektet e tjera të mëdha si Pazari i Ri apo Unaza e Vogël.

“Bëjmë prapë takime, edhe për ata të shoqërisë civile që ndoshta nuk i kushtuan rëndësi 24 dëgjesave që bëmë për projektet e këtij viti, të cilat i buxhetuam dhe i kaluam në Këshill Bashkiak. I mirëkuptoj, vijmë prapë nesër, por jo me dhunë! Dhuna nuk është argument dhe sa të drejtoj unë qytetin e Tiranës, dhuna nuk do t’u imponohet ideve për transformimin e qytetit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se në ambienti ku do të ndërtohet këndi i fëmijëve nuk do të ketë lokale apo restorante. “Në datën 1 qershor kur të inaugurohet parku i fëmijëve, nëse aty ka kafene apo restorant, unë nuk do të jem më kryetari i Bashkisë suaj. Por nuk pranoj gjuhën e dhunës, sidomos tek ata që po ai vend nuk janë prononcuar ende për një pallat 17-katësh në digë e sot bëjnë sikur nuk e shohin, mundohen të gjejnë një qime në syrin e kësaj administrate dhe evitojnë traun që kanë në syrin e tyre”, tha Veliaj.

Gjithashtu ai siguroi se asnjë pemë nuk do të pritet. “Nëse aty ku po ndërtohet këndi i fëmijëve do të pritet qoftë edhe vetëm një pemë , unë prapë në datën 1 qershor nuk do jem Kryetari i Bashkisë të Tiranës. Ne duhet të ecim përpara dhe ne duhet të gjejmë mënyra se si me shoqëri civile të dialogojmë”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se është i hapur për të diskutuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile për këtë çështje dhe të tjera. “I mirëkuptoj, më vjen keq që janë keqpërdorur, por jam gati që nesër në bashki, të flasim prapë, edhe 24 herë të tjera, se kam fare problem këtë. Por jo me dhunë, jo në këtë qytet që aspiron të jetë një qytet europian dhe që i ka të gjitha dhuntitë nga Zoti dhe nga natyra, si në burimet njerëzore, si në harmoni dhe bashkëjetesë kulturore-fetare, që të jetë një histori suksesi”, u shpreh Veliaj.

Më tej, ai komentoi dhe çështjen e diskutuar për taksën që duhet të paguajnë bizneset e mëdha për zënien e hapësirës publike, duke vlerësuar se pagesa është e ndryshme në varësi të zonave. “Në Tiranë ka sot të regjistruara 10 mijë kafene. Hapësira publike është pronë e qytetit, e 90% që nuk janë pronarë kafenesh. Tarife prej 50 lekësh në ditë për një tavolinë është vetëm për zonën A, zona premium e Tiranës, ose siç njihet  zona e ish – Bllokut. Nëse tavolina me të cilën biznesi ka zënë një trotuar nuk nxjerr as 50 lekë, ta lirojë”, tha Veliaj. Ai theksoi se nëse një biznes nuk ka punë atëherë ajo hapësirë të irohet dhe mund të luajnë fëmijët apo të ulet një i moshuar.

Duke folur për vizionin e planit urbanistik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në platformat e ngritura për këtë qëllim. “Mënyra se si zhvillohet qyteti nga ana e urbanistikës, s’është e gjitha njësoj. Në disa zona ne do duhet të fokusohemi tek industria dhe tek hapja e vendeve të punës, do jenë zona industriale, në disa zona të tjera do të jenë zona rezidenciale”, tha Veliaj.

Sipas tij, qytetit nuk i mungon asnjë gjë dhe duhet vullnet për ta transformuar qytetin. “Nuk na mungojnë financat, Shqipëria është bërë atraktive, Tirana është rikthyer, është bërë atraktive për t’u financuar nga institucione  ndërkombëtare. Na duhet vetëm pak vullnet i mirë, jo stërkëmbësha, jo thika mbas shpine, jo gjuhe e urrejtjes, jo inkurajim i vandalizmit”, përfundoi Veliaj.