Kulla e Sahatit

6859282578_2c94f47dec_b.jpg
6859282578_2c94f47dec_b.jpg
Images.jpg
Sheshi Nënë Tereza, Tirana, Albania

Kulla e Sahatit të Tiranës filloi të ndërtohej nga Haxhi Et’hem Beu në vitin 1822 dhe përfundoi me kontributin e familjeve të pasura të Tiranës. Fillimisht, lartësia e kullës ka qenë 30 m dhe sahati përbëhej nga mekanizmi i kurdisjes dhe një kambanë tunxhi, numri i të rënave të së cilës tregonin orën sepse fushë dhe akrepa nuk kishte. Montimi i saj u bë nga familja Tufina, e përmendur në lidhje me orët. Në lartësi të caktuara u  pajis me frëngji të vogla për ajrim, ndriçim dhe mbrojtje. Në vitin 1928, Kulla ndryshoi formë dhe mori pamjen që ka sot. Ajo u lartësua 5 metra më shumë duke arritur në 35 m, u bë ballkoni, u montuan 4 fusha orësh me akrepa dhe u vendos një çati e tipit venecian. Në kuadrin e modernizimit të Tiranës shteti shqiptar bleu në Gjermani një sahat të kohës. Duke qenë se kulla ka shoqëruar zhvillimin e qytetit kjo u reflektua dhe në pamjen e saj ku  gjysma e parë është e stilit osman, gjithë pjesa e gdhendur me gurë, kurse nga ballkoni e sipër është e stilit perëndimor.

Në vitet ’30, Kulla u ndriçua për herë të parë natën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo u dëmtua,  por u riparua në korrik të vitit 1946. Deri në vitin 1970  ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Pjesa e poshtme e ndërtuar me muri guri të trashë ka pasur shkallë të drunjta që të ngjitnin në ambientet e sipërme. Gjatë ndërhyrjeve restauruese shkallët e drunjta janë zëvendësuar me shkallë metalike. Kulla e  Sahatit është simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës dhe së bashku me Xhaminë e Et’hem Beut  formon një ansambël arkitekturor unik.

Muzeu përbri Kullës së Sahatit përmban mbi 40 objekte origjinale në stoli, art, dru, mobilie dhe veshje punuar nga mjeshtër shqiptarë, të cilat datojnë që prej viteve 20 të shekullit të kaluar. Të gjitha objektet e ekspozuara janë përdorur në shtëpi tiranase dhe ekspozohen këtu për herë të parë.