Liqeni i Farkës

liq.jpg
Rruga Selman Bulku, Farkë e Madhe, Albania
Rruga Selman Bulku Farkë e Madhe Qarku i Tiranës AL

Në vitet 1980 është ndërtuar Liqeni artificial i Farkës i cili është një nga liqenet më të mëdhenj në Shqipëri dhe është përdorur për vaditje. Liqeni është i lokalizuar në pjesën jugore dhe jugperëndimore të qytetit të Tiranës.

Terreni përreth Liqenit të Farkës shtrihet në një sipërfaqe 11.000 m2 dhe gjatësi prej 760 m linearë. Kjo zonë dallohet për biodiversitetin dhe peizazhin tërheqës kodrinor si dhe trashëgiminë natyrore. Pjesë e kësaj trashëgimie janë objekte, peizazhe, ekosisteme, habitate të veçanta, të rralla apo unikale, relike, lloje endemike apo të rrezikuara për t’u zhdukur. Si të tilla, ato kanë rëndësi të madhe ekologjike, shkencore, kulturore, didaktike, por edhe turistike.

Liqeni i Farkës, si një ndër asetet kryesore të parkut rekreativ, është i pozicionuar shumë afër rrugës nacionale, gjë e cila e bën atë lehtësisht të arritshëm për vizitorët. Me një shtrirje prej 75 hektarë sipërfaqe ujore e pastër, baseni është pjesa më tërheqëse e parkut, pasi është i pasur nga pikëpamja e biodiversitetit, duke u bërë habitati i disa llojeve autoktonë të peshqve si krap, ballgjerë dhe mustak.

Liqeni karakterizohet nga ujëra të pastra, të kthjellëta, pa mbetje urbane apo kallamishte dhe barëra nënujore dhe shihet mundësia për zhvillimin e sporteve të ndryshme ujore si peshkimi sportiv, kanotazhi, gara noti.

Shëtitorja shtrihet në krahun lindor të liqenit me një gjatësi prej 760 metra linearë, shumë afër vijës ujore të basenit, lehtësisht e aksesueshme nga ana e frekuentuesve, në gjendje të gatshme për t’u kthyer në pjesën më të rëndësishme të parkut. Vetëm 9.6 km nga qendra e Tiranës dhe vetëm 1.8 km nga Unaza e madhe Parku Rekreativ i Farkës bëhet pika më e afërt për frekuentuesit e të gjitha grup moshave.