Mozaiku i Tiranës

93_big.jpg
93_big.jpg
rishfaqet-mozaiku-i-tiranes.jpg
800px-Mozaiku_tr_2.jpg
mozaiku-tiranes-0.jpg
Rruga 21, Tirana, Albania
Rruga Sandër Prosi Tirana Tirana AL

Mozaiku i Tiranës është një pikë shumë e rëndësishme referimi në Shqipëri dhe mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor. Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme. Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë. Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh, të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit. Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një blloku pallatesh.