Muzeu i Bankës së Shqipërisë

Muzeu i Bankes se Shqiperise.jpg
PS, Tirana 1001, Albania

Muzeu i Bankës së Shqipërisë ndodhet brenda ndërtesës simbol të sheshit kryesor të kryeqytetit, selisë së bankës qendrore. Muzeu i Bankës së Shqipërisë u inaugurua më 30 tetor 2015. Muzeu shtrihet në dy kate, ku secili prej tyre është konceptuar si një hapësirë e pavarur nga tjetri. Në katin e parë, në një trajektore ekspozitash që arrin kulmin në Dhomën e Thesarit ose siç njihet ndryshe Rondo, prezantohet koleksioni i pasur numizmatik i Bankës së Shqipërisë që nga lashtësia deri në ditët e sotme. Në katin e dytë të Muzeut prezantohet historia e institucionit të Bankës Qendrore në Shqipëri. Muzeu i Bankës së Shqipërisë përfaqëson edhe një destinacion të ri turistik në zemër të Tiranës si dhe një qendër të përhershme informacioni ku publiku i gjerë mund të mësojë më shumë mbi të gjitha aspektet e parasë dhe të ekonomisë, si dhe të kuptojë më mirë funksionin e Bankës Qendrore. Hyrja në ndërtesë bëhet nga krahu i rrugës “Ibrahim Rugova” dhe për të vizituar këtë muze, duhet të prenotoni vizitën tuaj dhe të jeni të pajisur me një dokument identifikimi. Oraret e hapjes: çdo ditë të enjte, me përjashtim të ditëve të festave zyrtare, në orarin 9:00-14.30. Grupet nuk mund të kalojnë numrin e 15 personave.

Hyrja në Muze është falas.