Tyrbja e Kapllan Pashës

Untitled-7.jpg
TID Tower, Rruga Abdi Toptani, Tirana 1000, Albania
Rruga Abdi Toptani Tirana Tirana County 1000 AL

Tyrbja e Kapllan Pashës, një prej sundimtarëve të Tiranës, është ndërtuar në fillim të shekullit XIX, supozohet në vitet 1820-1830, dhe bën pjesë në kompleksin e varreve monumentale të xhamisë së parë të Tiranës, e cila u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky kompleks kishte edhe gjashtë varre të tjerë në të njëjtin tip, por me përmasa të ndryshme. Në vetvete tyrbja përfaqëson një varr monumental me planimetri tetëkëndëshe ndërtuar me gurë të gdhendur, katër metra të lartë dhe të përbërë nga tetë kolona klasike të lidhura me harqe me njëra-tjetrën. Mendohet që ka qenë e mbuluar me çati. Tyrbja sot është e hapur pa çati dhe pa kube. Kolonat janë prej guri njëcopëshe, vendosen mbi bazamente guri dhe me kapitele me dekor bimor në sipërfaqe Në njërën prej kolonave është gdhendur një mbishkrim që flet për Kapllan Toptanin e që sot është i palexueshëm me përjashtim të datës 1326 ‘h (sipas kalendarit mysliman). Kapllan Pasha u varros këtu në shekullin XIX, por eshtrat e tij janë shpërngulur më vonë në Stamboll.