Universiteti i Arteve

foto1.jpg
University of Arts, Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Tirana, Albania
Bulevardi Dëshmorët e Kombit Tirana Tirana AL

Ndërtesa e këtij universiteti u projektua së bashku me ndërtesën e Universitetit Politeknik dhe stadiumin “Qemal Stafa” nga arkitekti italian Gherardo Bosio në vitet 1939 – 1941. Arkitektura e kësaj ndërtese ashtu si e atyre përreth i përket stilit racional fashist. Në fillim ajo ka qenë godina e Opera Nazionale Dopolavoro Albanese ( një lloj klubi argëtimi i organizuar nga Partia fashiste). Më 11 janar 1946 regjimi komunist që u vendos në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore shpalli në një nga sallat e kësaj ndërtese Republikën Popullore të Shqipërisë. Aktualisht aty ndodhet Universiteti i Arteve, një institucion publik i arsimit të lartë në fushën e artit. Universiteti i Arteve është themeluar në vitin 1966 si Instituti i Lartë i Arteve duke bashkuar tre institucione: Konservatorin Shtetëror të Tiranës, Shkollën e Arteve të Bukura dhe Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”. Në vitin 1990 Instituti i Lartë i Arteve u ngrit në nivel Universiteti duke marrë emrin Akademia e Arteve. Në mars të vitit 2011 u krijua Universiteti i Arteve mbi bazën e Akademisë së Arteve duke ruajtur të pandryshuar strukturën e fakulteteve.