Ura e Tabakëve

URA E TABAKEVE 3.jpg
Bulevardi Zhan D'Ark, Tiranë, Albania
Bulevardi Zhan D'Ark Tiranë Qarku i Tiranës AL

Ura e Tabakëve është një urë guri këmbësoresh e periudhës otomane të shekullit XVIII e ngritur me kontributin e Esnafit të Tabakëve për të kaluar mbi Lanë. Në këtë periudhë Esnafi i Tabakëve kishte një pozitë të veçantë në jetën ekonomike dhe shoqërore të Tiranës. Kjo urë dikur ishte pjesë e rrugës së Shëngjergjit që lidhte Tiranën me malësinë lindore të saj. Deri në vitet ’30 ura lidhte dy brigjet e lumit Lana, ku ishin vendosur dyqanet e kasapëve dhe zejet e përpunimit të lëkurës.  Ajo dëshmon për traditat e lashta të vendit tonë në fushën e ndërtimeve si dhe punën e madhe të mjeshtreve popullorë tiranas në këtë fushë. Ura e Tabakëve dallon për arkitekturën e saj harmonike, si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementeve të saj. Ajo ka një lartësi rreth 7 metër e gjysmë dhe përbëhet nga një hark kryesor, mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësorë me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ka qenë 3,5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2,5 metra është i ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar dy harqe në formë segmentesh rrethorë me hapësirë të vogël. Në vitet 90-të të shekullit të kaluar  ura u restaurua duke i rikthyer lavdinë  e mëparshme. Sot ura përdoret vetëm nga këmbësorët.