Vendbanimi antik i Persqopit

13001052_10154134722026926_4026707779665645434_n.jpg
Unnamed Road, Petrelë, Albania
Unnamed Road Petrelë Qarku i Tiranës AL

Persqopi është një nga vendbanimet ilire më të rëndësishme në zonën e Tiranës. Duke Iu referuar periodizimit të fortifikimeve të Ilirisë Jugore dhe Epirit, nga pikëpamja arkitektonike, Persqopi i përket periudhës që përfshin gjysmën e dytë të shekullit të IV p.Kr. Kjo periudhë shënon një zhvillim të madh të fortifikimeve të Ilirisë Jugore si Bylisi, Amantia, Zgërdhesh, Olimpi, Persqopi etj. Duke analizuar burimet antike nuk gjejmë asnjë autor që citon dhe flet për këtë vendbanim me emrin që e njohim sot. Gjurmët e vetme flasin që territori i Persqopit ishte i banuar nga fisi ilir i Parthinëve. Qyteti antik është i lokalizuar në faqen e Malit të Vilës, që është maja e fundit më e lartë e zinxhirit malor të Krrabës (590 m lartësi). Pozicioni strategjik i tij bënte të mundur kontrollimin e një territori të gjerë dhe rrugëve që kalonin në këto vise. Ky është i vetmi fragment i murit fortifikues, më i larti i konservuar në të gjithë territorin e Shqipërisë, më një shtrirje rreth 60 m gjatësi dhe lartësi prej 7 m me 10 rreshta gurësh të ndërtuar në mënyrën izodomike. Hyrja është tërthore, me një gjerësi rreth 2.6 m. Kjo është e vetmja hyrje që mund të dallohet sot në këtë vendbanim. Muret janë ndërtuar me dy parete me blloqe guri kuadratik.

Muri i jashtëm ka një trashësi prej 2m dhe ai i brendshëm është më i hollë rreth 1m. Lidhja e dy pareteve është realizuar përmes mureve të tjera të tërthorta të vendosura në 5.6 – 6.1 m distancë nga njëri-tjetri. Hapësirat boshe që krijohen mes mureve janë të mbushura me dhé dhe gurë të dimensioneve të ndryshme, duke krijuar atë tipologji muri që quhet emplekton. Përveç mureve antike, në Persqop ruhen dhe gjurmë të shumta të banesave, si dhe gjurmët e një varri dhe të një ujësjellësi që furnizohej me ujë nga Mali Vilë. Këto të dhëna janë një tregues i rendësishëm i fuqisë ushtarake, ekonomike dhe politike të vendbanimit antik të Persqopit.