Xhamia e Haxhi Et’hem Beut

154907518_93cb7fdd42.jpg
Kulla e Sahatit, Tirana 1001, Albania

Kjo xhami është e vetmja ndër tetë xhamitë e shekullit XVIII-XIX të ndërtuara në Tiranë që e shohim ende sot. Themelet e saj i vuri në vitin 1208 hixhri (1794) Molla Beu por ai vdiq në vitin 1223 hixhri, (1807), pasi kishte përfunduar kubenë. Faltoren e plotësoi i biri i tij, Haxhi Et’hem Beu, në vitin 1236 hixhri (1821), duke ndërtuar minaren, çatinë, portikun si dhe duke përfunduar zbukurimet e pikturat e brendshme. Dy vjet më vonë në vitin 1238 hixhri (1823) përfunduan pikturat dhe zbukurimet e jashtme. Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku në veri dhe në lindje të saj si dhe minarja. Xhamia qëndron mbi themele në formë kuadrati me gjatësi e gjerësi 18,70 x 16.10 m dhe zë një sipërfaqe prej 301 m 2 . Është ndërtuar me gurë të sjellë nga fshati Shtish – Tufinë që ndodhet në anën lindore të Tiranës. Asnjëra nga të katër fasadat e xhamisë nuk i ngjan njëra-tjetrës.

Salla e lutjeve ka planimetri katrore dhe është ndërtuar me vëllim unik mbuluar me kupolë prej llamarine plumbi. Portiku i Xhamisë së Et’hem Beut në aspektin funksional ka shërbyer në krijimin e një ambienti me një mihrab të dytë në të cilin mund të faleshin ata që vinin më vonë apo nuk gjenin vend në sallën e lutjeve. Portiku ka në planimetri formën e shkronjës “L”, ndërsa nga jugu mbyllet me mur. Nga anët e tjera është i hapur me tri arkada mbi kolona, të cilat, në kontakt me muret janë gjysmë kolona. Portiku mbulohet nga një çati me konstruksion druri dhe tavan të rrafshët dërrasash. Faltorja ka 18 dritare në dy rreshta horizontalë, të cilat në numrin më të madh i japin asaj një dritë të kufizuar për të krijuar një ambient mistik. Kjo xhami është pjesë e ndërtesave komplekse që përbëjnë qendrën historike të Tiranës dhe përbën një kompleks arkitektonik së bashku me Kullën e Sahatit. Xhamia e Et’hem Beut është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948.