Dita Botërore e Sindromës Down

“Miqtë e mi, komuniteti im”. Ky është slogani i fushatës së këtij 21 Marsi, Ditës Botërore të Sindromës Down, që ka për qëllim ndërgjegjësimin, informimin, si dhe promovimin e të drejtave dhe nevojave për individët me këtë sindromë në mënyrë që të jetojnë një jetë të shëndetshme, të pavarur dhe gjithëpërfshirëse në komunitet. Pjesë e kësaj fushate ndërgjegjësuese u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili iu bashkua aktiviteteve të Fondacionit “Down Syndrome Albania”. Fillimisht ai vizitoi ambientet e këtij fondacioni, të cilin e përuroi dy vite më parë gjatë kohës që drejtonte MMSR-në, si dhe ka parë nga afër dhomat e terapisë, tanimë të kompletuara.

Në fjalën e tij, ai falenderoi për përkushtimin të gjithë ata që e drejtojnë dhe shërbejnë në këtë qendër, duke vlerësuar “Down Syndrome Albania”, si një histori suksesi në fushën e organizatave që ofrojnë shërbime falas për qytetarët në nevojë dhe në pamundësi. “Besoj se Doën Syndrom Albania është nga të paktat raste ku rrjeti i bashkëpunëtorëve është përtej vetëm familjarëve të fëmijëve me sindromën doën, por ka përfshirë korporata, kompani të ndryshme, individë, të cilët ndoshta nuk preken në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndiejnë të jenë pjesë e këtij misioni. Besoj se ky është etaloni më i mirë që ne kemi sot në shoqërinë civile, se si gjërat nuk bëhen duke u ankuar, por duke u përpjekur që konkretisht të adresojmë një problem”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, pasi u njoh edhe me kërkesat e fondacionit, bëri të ditur se në buxhetin e bashkisë do të programohet dhënia e një mbështetje financiare për ato organizata që realisht ofrojnë shërbime në ndihmë të atyre grupimeve sociale që kanë nevojë për mbështetje. “E kemi të mundur që në buxhetin që po përgatisim, të përfshijmë edhe financimin për qendra që ofrojnë shërbime konkrete. Unë prirem gjithmonë që ato pak financa që ka bashkia, më mirë t’i çojmë për shërbime konkrete, se sa për më shumë seminare, konferenca, trajnime, publikime, raporte që as i lexon njeri, pasi në këtë fazë kanë kaluar mbi 25 vjet ku jemi mbiseminarizuar për çdo lloj teme, ndaj dhe prirem të jem për zgjidhje konkrete”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu, ai u angazhua direkt që të bëjë më shumë për t’i ardhur në ndihmë këtij komuniteti, jo vetëm në Tiranë, por duke ndërgjegjësuar edhe gjitha bashkitë e tjera për të krijuar më shumë mundësi dhe kushte për shoqata që veprojnë në këtë fushë. Më tej ai shtoi se është në detyrimin e çdo bashkie që në qeverisjen e përditshme të qytetit të mendojë më shumë për këto grupime sociale që kanë nevojë vërtetë për dorën e shtetit. Ndaj, theksoi ai, bashkia që ai drejton ka parë me prioritet që në çdo vendimmarrje të sajën, siç janë ndarja e banesave sociale, të përfshijë edhe familje që kanë pjesëtarë persona me aftësi të kufizuara.

21 marsi i vitit 2016 shënon përvjetorin e 11-të të Ditës Botërore të Sindromës Down, dhe çdo vit në këtë datë zëri i individëve që kanë këtë sindromë apo i atyre që jetojnë me ta bëhet më i dëgjuar. Të dhënat tregojnë se në nivel global 1 në 800 lindje rezulton me sindromën Doën. Ndaj kjo ditë, për të theksuar të drejtat e tyre është themeluar në vitin 2006 nga Shoqata Kombëtare e Sindromës Doën në Amerikë dhe është ndjekur nga shumë shtete më pas. Prej 2012-ës, 21 Marsi shënjohet dhe në vendin tonë. Në Shqipëri jetojnë rreth 684 individë me sindromën Down.