Dita e Verës, Tirana qendër festimesh

33053896830_df7a7259f8_o

Tirana u kthye sot në qendrën e festimeve të Ditës së Verës. Mijëra qytetarë të të gjitha moshave, të ardhur jo vetëm nga Tirana, por edhe rrethet, iu bashkuan aktiviteteve të shumta festive të organizuara nga ana e Bashkisë së Tiranës. Lojëra, argëtime, panairi i biznesit, karnavalet, Bienalja e Akuarelit me 400 artistë të huaj dhe super street party ishin disa prej aktiviteteve që u zhvilluan në Tiranë në kuadër të Ditës së Verës.

Pjesë e festimeve u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili pasi morri pjesë në ceremoninë e çeljes së Pazarit të Ri, ndoqi nga afër disa nga aktivitetet e organizuara në zona të ndryshme të Tiranës. Ndërsa uroi qytetarët e Tiranës për festën e Ditës së Verës, ai u shpreh se momente të tilla duhet të shërbejnë edhe si momente reflektimi se përtej dasive të së përditshmes, shqiptarët kur bashkohen bëjnë punë të mira. “Është një moment për të kujtuar që kur ne shqiptarët e ndajmë mendjen për punë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, si ajo te Pazari i Ri. Kur ne e ndajmë mendjen që të bashkëpunojmë dhe t’i harrojmë diferencat e vogla që kemi mes nesh për të kontribuar për gjëra të mëdha, në bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha kryetari i Bashksië së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai theksoi se sot Tirana e feston Ditën e Verës më e mirë se kurë më parë dhe kjo falë punëve të mira që kanë nisur të bëhen nga Bashkia e Tiranës. “Jam shumë i lumtur sot që festojmë Ditën e Verës, ndoshta si kurrë më parë, me qindra mijëra njerëzish që kanë dalë në të gjitha cepat e Tiranës, por unë besoj se përveç se ta urojmë Ditën e Verës, si një kohë e motit të mirë, unë besoj se na duhet një Ditë Vere, edhe mendje e hapur dhe e kthjellët, që të ecim përpara si komb. Jemi në një moment ku duhet të vendosim, ose ne vazhdojmë me këtë punë, me këtë përkushtim, ose i kthehemi prapë gjumit në bashki dhe në qeveri. Unë besoj se shumica dërrmuese e qytetarëve do të eci përpara, do të shohë punën, do t’ i shkojnë gjërat mbarë, edhe gëzon kur qyteti prosperon, kur qyteti bën progres, edhe kur komunitetet tona zhvillohen” shtoi më tej Veliaj.

Festa nisi që në mëngjes me inaugurimin e Pazarit të Ri, i cili është transformuar tërësisht në një hapësirë multifunksionale, që do të shërbejë jo vetëm si markatë për qytetarët e Tiranës, por në të njëjtën kohë edhe si një zonë tërheqëse për të kaluar pasditen. Në këtë zonë, u organizua Këndi i Fëmijëve te Pikturës, koncerti i Ansamblit të Operas dhe Baletit, ndërsa pasdite do të ketë muzikë live.

Më pas mijëra qytetarët të Tiranës dhe të ardhur nga rrethet iu bashkuan festimeve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku ndoqën fillimisht koncertin e madh festiv që me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë si: Alban Skënderaj, Marsela Çibukaj, Klajdi Haruni & Bruno.

Rreth 2400 të rinj dhe qytetarë morën në dancin sportiv, ndërsa për më të vegjlit ishin menduar një sërë aktivitetesh si shfaqja e Cirkut Kombëtar në Parkun Rinia dhe aktivitete të ndryshme sportive apo edhe panairi i shkollave profesionale. Gjithashtu një mundësi që ngjalli jo pak kureshtje ishte edhe Panairi i Policisë së Rendit i organizuar po në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Bienalja e Akuarelit me 400 artistë të huaj ishte një tjetër mundësi që tërhoqi interesin e shumë qytetarëve të cilët panë në kohë reale punimet e kryera prej tyre në hapësirën përballë Piramidës. Lojëra dhe argëtime ofruan edhe hapësira të tjera si Parku i Kodrave të Liqenit apo edhe Kopshti Zoologjik, ndërsa në sheshin “Nënë Tereza” u panairi i biznesit. Festa vazhdoi edhe pasdite me “Super Street Party” organizuar në disa prej rrugëve të ish Bllokut.