Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve

Pronarët që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe do të shpronësohen 100%, ndërsa për ndërtimet pa leje Bashkia e Tiranës ofron tre vite bonus qiraje dhe mundësi për banesa sociale. Kryebashkiaku Erion Veliaj shfrytëzoi sot Këshillin e Fëmijëve, me nxënësit e të gjithë shkollave të kryeqytetit dhe përfaqësues të UNICEF-it në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, për të sqaruar se banorët që preken nga projekti janë përfitues të paketave sociale.

 Veliaj u shpreh se banorët që janë pronarë të një shtëpie në atë zonë do të marrë dëmshpërblimin e plotë për shtëpinë, ndërsa pjesa tjetër do trajtohet nga paketat sociale të Bashkisë së Tiranës, bonus qiraje, banesë sociale apo kredi të butë. Ai kërkoi nga banorët që të mos përdoren nga politika dhe vlerësoi qytetarët të cilët i janë drejtuar institucioneve dhe kanë filluar procedurat e shpronësimit. “Nuk ka asnjë arsye pse një për qind e popullsisë të ndërtojë një shtëpi 3 katëshe, ose në disa raste edhe 8 katëshe në tokën e dikujt tjetër, ndërsa prindërit tuaj do të duhet fillimisht ta fillojnë me qira, pastaj të marrin një kredi, pastaj ta paguajnë derisa të rriteni ju, të shkoni në shkollë, e pastaj kur të rriteni ju e të shkoni në punë, të keni mundësi të ndihmoni prapë familjen. Jam shumë i lumtur që nga dje banorët e kanë kuptuar që ca politikanë po i përdorin dhe sot kanë shkuar të regjistrohen për t’u shpronësuar. Ky është një lajm shumë i mirë”, tha ai.

 Kryebashkiaku siguroi se falë këtij projekti të Qeverisë shqiptare, do të marrë zgjidhje edhe problemi i trafikut në një nga nyjet hyrëse në kryeqytet, ndërsa i cilësoi politikë të vjetër përpjekjet për të penguar projektet zhvilluese në qytet vetëm e vetëm për të përfituar vota. “Unaza e Re, siç është sot, nuk e përballon të gjithë atë fluks, ka shumë njerëz që vijnë nga rrethet e tjera në Tiranë. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një projekt të ri me Unazën e Re, që është projekti që po bëhet nga Qeveria shqiptare, Ministria e Transportit dhe ARRSH. Ne si bashki jemi përfituesit kryesorë sepse çlirohet i gjithë ai trafik te Unaza e Re. Edhe te Pazari i Ri, edhe te Lodrat te Liqeni, gjithmonë sa herë bëhet një gjë e re, ka politikanë që mundohen të përfitojnë, duke thonë: “Hajt t’i bëjmë njerëzit të zihen me kryeministrin, me kryetarin e Bashkisë, vetëm që të mos bëhen gjërat dhe të fitojmë ndonjë votë”. Por, kjo është një politikë e viteve ‘90”, u shpreh ai.

 Veliaj deklaroi se Unaza e Madhe do të bëhet, ndërsa nënvizoi se askush nuk mund të bllokojë dot punët e qytetit. “Unaza do të bëhet, kompensimin do ta marrësh, por nuk e bllokon dot qytetin. Një parti politike mund të ndihmojë, mund të të përdorë, mund të të manipulojë për sherr, për vota, të vish të dëmtosh bashkinë, por kjo bashki s’është e imja; do iki unë, nesër do jesh ti kryetarja e bashkisë, ndaj s’mund ta dëmtojmë qytetin dhe as ta pengojmë progresin”, tha Veliaj.

 Ai  solli një sërë rastesh të mëparshme të cilat fillimisht kanë hasur në pengesa, si këndi i Lojërave te Liqeni apo Pazari i Ri, por që në fund kanë rezultuar një sukses i plotë. Për këtë arsye, Veliaj kujtoi një skenë aspak të këndshme konfliktuale me një prej pronarëve tek Pazari i Ri, në kohën kur Bashkia e Tiranës nisi punën për rikualifikimin e Pazarit të Ri, 2 vjet më parë. “Kur ndezëm dritat dje te Pazari i Ri, ai burri me të cilin ndeza dritat atëherë më thoshte: “O ti o unë! O më vret ti mua ose të vras unë ty”. Sot, unë dhe ai jemi bërë super shokë, ndezim dritat e pemës bashkë, sepse dhe ai e kuptoi që Pazari i Ri është më i bukur nga sa ishte më parë. Jam i bindur se me shumë prej atyre të Unazës, tani që po marrin edhe shpronësimin, që do ecë edhe projekti, që do lirohet edhe trafiku, jam i sigurt se do bëhemi miq për kokë”, tha kreu i bashkisë.

 Me Këshillin e Fëmijëve kryebashkiaku Veliaj diskutoi edhe disa projekte të veçanta të bashkisë, si ajo për ndërtimin e rrjetit të korsive të dedikuara për biçikletat. Ai nënvizoi se fokusi i bashkisë është edhe ndërtimi i 11 km të tjera të korsive. “Një nga gjërat që do të bëjmë është se do të shtojmë edhe këtë vit 11 km korsi biçikletash”, tha Veliaj, teksa shtoi se puna do të vijojë edhe për ndërtimin e stacioneve të biçikletave pranë çdo shkolle, duke futur edhe një kulturë të re në qytet. “Një nga gjërat që do të bëjmë është vendosja e parkingjeve të biçikletave nëpër shkolla. Për ata që janë në distanca të afërta të kenë mundësi që të përdorin biçikletën. Dua shumë që të inkurajojmë edhe prindërit. Në shumë prej rrugëve kryesore i kemi dhënë më shumë prioritet biçikletave se sa makinave”, deklaroi ai.

 Kreu i Bashkisë prezantoi dhe projektin e ndërtimit të shkollave të reja. Veliaj nënvizoi se shkollat e reja, por edhe ato ekzistuese, të shërbejnë si shkolla komunitare. “Mënyra se si do t’i kthejmë shkollat në Qendra Komunitare, disa nga shkollat tuaja, ose shumica tashmë janë, por nuk janë bërë të gjitha. Ndaj duam që deri në fund të këshillit tonë, të gjitha shkollat të jenë shkolla-qendër komunitare. Kemi bërë shumë investime në palestra, në fushat sportive, për t’i kthyer në qendra komunitare, jo vetëm pjesën e sportit, por edhe klasat, ku dikush mund të bëjë një kurs kitare, gjuhë të huaj, një kurs pikture, një klub teatri a debati”, tha ai.

 Ndërkaq, kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë fëmijët që t’i bashkohen nismës së re, për vendosjen e një flamuri shqiptar në ballkonet e shtëpive të tyre, tani që po afrohen festat e 28-29 Nëntorit. Gjithashtu ai kërkoi që nxënësit e kryeqytetit të bëhen pjesë e aksioneve vullnetare për pastrimin e mbetjeve, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbajtjen pastër të ambientit.