Dita pa makina

Qytetarë të shumtë iu bashkuan aktiviteteve të organizuara sot nga Bashkia e Tiranës në sheshin “Skëndebej”, ku u zhvillua dita e radhës “Tirana pa makina”. Krahas aktiviteteve të ndryshme që përkuan edhe me Ditën e Mjedisit, të pranishmit patën mundësi të ndjekin edhe performancën e vecantë të disa qindra fëmijëve me gota plastike.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, i cili u shpreh se synimi kryesor për kthimin e sheshit “Skënderbej” në pedonale është ulja e ndotjes dhe krijimi i hapësirave për qytetarët. “Sot është një ditë e bukur, ku të gjithë njerëzit gëzojnë. Performanca e fëmijëve me gota plastike është një mesazh i jashtëzakonshëm sepse ne duam që në politikën tonë, Tirana të jetë më pak e ndotur dhe falë politikave të bashkisë qyteti është më pak i ndotur”, tha Hado.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës solli në vëmendje edhe punimet që aktualisht po vijojnë për përfundimin e Unazës së Vogël, e cila do t’i hapë rrugën kthimit të sheshit “Skënderbej” në pedonale. “Sheshi ‘Skënderbej’ do t’i kthehet publikut, ku dhe do të zhvillohen aktivitete të ndryshme. Bashkia e Tiranës po punon në mënyrë intensive për të hapur atë pjesë të mbetur të Unazës së Vogël që do të çlirojë trafikun. Më pas, do të nisin punimet për projektin e ri të sheshit të “Skënderbej”, sqaroi Hado.

Në këtë aktivitet qytetarët morën pjesë në aktivitete si muri dëshirave, ngritja e balonave, kinemaja verore, performanca e fëmijëve me gota plastike, ekspozitë me nxënësit që morën pjesë te “Idetë Rinore”, këndi i mjedisit, skulpturat e parkut, panairi i koleksionistëve dhe sporte të ndryshme.