Drekë me gratë në nevojë qendrën sociale në Kombinat

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zgjedhur që urimin e tij për 8 Marsin, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, t’i përcjellë nga qendra sociale e shërbimit ditor në Kombinat. I shoqëruar nga nënkryetarët Andi Seferi dhe Abaz Hado dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, Veliaj u shërbeu drekën të gjitha nënave dhe gjysheve, në pamundësi ekonomike, të cilat frekuentojnë këtë qendër sociale ditore, duke iu uruar atyre “Gëzuar Festën”.

“Dua t’ju uroj festën e 8 Marsit në këtë qendër sociale ku ne shërbejmë një vakt falas, e sigurohemi që, pavarësisht rrethanave ekonomike apo gjendjes sociale, asnjë zonjë, asnjë grua, asnjë gjyshe e Tiranës, nuk duhet të ngryset pa një vakt. Ndaj, më vjen mirë që kjo qendër sociale është bërë model dhe kjo mensë sociale na shërben edhe për të transformuar gjendjen sociale në pjesë të tjera të Tiranës, dhe për t’u siguruar që në çdo cep të kryeqytetit të krijojmë të njëjtat mundësi”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai shtoi se çdo burrë duhet të kuptojë rëndësinë dhe kontributin që jep çdo grua në jetën e përditshme, jo vetëm në angazhimet familjare, por edhe në jetën shoqërore të vendit. “Nëse në punët tona, qofshin këto në bashki, qofshin në qeveri, në njësi apo në këtë qendër sociale, nuk përfshijmë gratë, gjithçka do të jetë si një makinë që ecën me gjysmë shpejtësie ose si një ekip që luan me gjysmën e skuadrës. Ndaj, dua të falënderoj të gjithë ata që nuk e morën ditën pushim me familjet e tyre, por erdhën e shërbyen këtu”, theksoi Veliaj.

Duke iu referuar pikërisht punës që bëhet në këtë qendër sociale, kreu i Bashkisë ka siguruar se modeli i saj do të zbatohet edhe në qendra të tjera, ku bashkia do t’u vijë në ndihmë të pamundurve. “Ne kemi 1007 gra që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe me asistencë nga bashkia. Shumë shpejt ne do të fillojmë edhe me paketën ushqimore për gratë dhe për vajzat në nevojë. Unë besoj se Bashkia e Tiranës ndoshta nuk i kënaq dot të gjithë, por të paktën ata që janë më nevojtarë, që janë në vështirësi më të mëdha ekonomike, që kanë probleme më të rënda sociale, Bashkia e Tiranës do t’u jetë krah”, u shpreh Veliaj, ndërsa ka siguruar të gjitha gratë që u bënë pjesë e kësaj dreke se ai nuk do dorëzohet për asnjë nga punët që Bashkia e Tiranës ka nisur e do të mbajë çdo premtim të dhënë.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi dhe nënkryetarët e Bashkisë, Andi Seferi dhe Abaz Hado kanë shfrytëzuar rastin që të përcjellin edhe ata urimet e tyre me rastin e kësaj dite, duke shprehur mirënjohje për gjithçka gratë bëjnë për të mirën e familjes së tyre dhe të shoqërisë.