Edhe peshëngritësi Erkand Qerimaj i bashkohet aksionit për mbjelljen e 50 selvive

Aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 100 mijë pemëve deri në 21 Mars iu bashkuan edhe dy emra të njohur për publikun, kampioni ynë në sportin e peshëngritjes, Erkand Qerimaj, dhe moderatorja, Anjeza Maja. Së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj, ata mbollën 50 selvi të tjera në Unazën Lindore në Tiranës. Velliaj falenderoi donatorët që kontribuan për pemët dhe theksoi se me ritmin me të cilin po ecën ky aksion, rekordi i 100 mijë pemëve mund të arrihet edhe para datës 21 Mars.

“Ky është kampionati më i madh i gjelbërimit që po zhvillohet në Tiranë. Jemi shumë pranë rekordit tonë të 100 mijë pemëve deri në 21 mars, por ashtu si Erkandi, ca rekorde i kemi vetë në dorë, ndaj kemi vendosur ta thyejmë këtë rekord. Po stërvitemi që ndoshta edhe ta thyejmë para 21 marsit, duke qenë se jemi shumë pranë këtij numri të paprecedentë të mbjelljeve në Tiranë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se selvitë që po mbillen përgjatë Unazës do të krijojnë një brez të parë me pemë, që i jep kësaj rruge jo vetëm gjelbërim, por edhe e zbukuron nga ana estetike. “Po vijojmë me ‘qëndismën’ e gjithë Unazës jugore të Tiranës, në pjesën më të madhe të saj duke mbjellë selvi, meqenëse është edhe një pemë që jo vetëm prodhon oksigjen, por edhe dekorative. Të dy skarpatet, jemi duke i mbuluar me pemë dhe presim një pranverë të shkëlqyer dhe hijeshi të jashtëzakonshme për qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku veçoi se pjesëmarrja e njerëzve publikë në këtë aksion, si Erkand Qerimaj apo Anjeza Maja, është një motivim shumë i madh për të gjithë ata të rinj dhe të reja që duan të japin ndihmën e tyre në këtë nismë të Bashkisë së Tiranës. “Më vjen mirë që na është bashkuar sot Erkand Qerimaj, kampioni ynë i madh i peshëngritjes dhe siç ngre peshë për sport, ashtu ngre edhe zemrat tona peshë kur bashkohet në një nismë të tillë në dobi të qytetit. Falenderoj Anjezën dhe miqtë e tjerë që na u bashkuan për këtë maratonë të gjelbërimit. Secili prej nesh, në politikë, në sport, në media, në biznes ka edhe një mision që është përtej punës së vet, që është misioni i të qenit një qytetar i mirë”, shtoi Veliaj.

Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen edhe për të gjithë ato biznese që i janë përgjigjur thirrjes së Bashkisë së Tiranës për të kontribuar në këtë aksion në të mirë të qytetit. “Unë besoj që një qytetar i mirë nuk është qytetar part – time, është qytetar me kohë të plotë; pra, sa herë ka nevojë qyteti, i përgjigjet thirrjes dhe ata i janë përgjigjur thirrjes sonë. Të gjithë donatorëve që na kanë mbështetur në këto kohë, i falenderoj me shumë respekt, sepse e di që në një vend ku sport nuk është palestra ose peshëngritja, por cinizmi, ironia, parodia, përqeshja, do kurajë qytetare që të thuash jo, unë zgjedh të bëj këtë sportin tjetër që është sporti qytetar, angazhimi, përfshirja dhe mbjellja e pemëve në këtë rast apo aksione të tjera në të ardhmen”, u shpreh Veliaj.

Kampioni ynë në peshëngritje, Erkand Qerimaj falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë nismë, e cila i shërben të gjithë qytetarëve. “Është një emocion i veçantë mbjellja e pemës së selvisë sot. Këto janë mushkëritë e qytetit tonë, do punojmë çdo ditë që të kemi sa më tepër oksigjen, sa më tepër pastërti, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për të ardhmen tonë natyrisht, që të kemi një jetë sa më të shëndetshme. Është një nismë shumë e mirë, kjo për mbjelljen e sa më shumë pemëve dhe është për shëndetin tonë në radhë të parë”, u shpreh Qerimaj.

Moderatorja Anjeza Maja u shpreh se pemët dhe gjelbërimi ndikojnë direkt në një jetë të shëndetshme, ndaj theksoi se nisma të tilla duhen mbështetur. “Duke qenë se merrem me aktivitet fizik, personat që merren me aktivitet fizik, natyrën e kanë aleatin e tyre më të afërt. Kështu që, pak stërvitje në natyrë, me pemë, me ajër të pastër, me klorofil, do na bënte shumë mirë. Kjo është edhe arsyeja pse jemi këtu sot”, u shpreh Maja.