Fajon, bashkëbisedim me të rinjtë e kryeqytetit

Europarlamentarja Tanja Fajon e mbylli vizitën e saj në Shqipëri me një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësues të Këshillit Rinor të Tiranës. Fillimisht, ajo u prit në një takim të veçantë nga kryebashkiaku Veliaj, me të cilin bisedoi rreth procesit të integrimit dhe projekteve për zhvillimin e kryeqytetit, e më pas, së bashku, zhvilluan një takim me anëtarë të Këshillit Rinor në Bashkinë e Tiranës. Tema e bisedës së hapur me të rinjtë ishte rruga integruese e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mundësitë që ka sot rinia shqiptare për të ndikuar vendimmarrjen e politikës në favor të interesave të vendit.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Tanja Fajon është modeli që vërteton më së miri sesi një njeri mund ta përdorë politikën për të mirën e qytetarëve të tij dhe vendeve të tjera. “Ka shumë njerëz sot që thonë: A ka realisht gjë në dorë politika, apo është vetëm një sallë e madhe debati gladiatorësh që nuk prodhon asgjë? Unë besoj se, rasti i Tanjas dhe rasti i Shqipërisë tregon se si kur një politikë bëhet mirë, sigurisht që ka gjëra në dorë për  të ndryshuar jetët e njerëzve”, tha Veliaj.

Më tej, ai vlerësoi rolin që ka luajtur Fajon në procesin e liberalizimit të sistemit të vizave për vendin tonë, frytet e të cilit të rinjtë shqiptarë i shijojnë edhe sot. “Transformimi i çështjes së liberalizimit të vizave, sidomos për grup-moshën tonë, e cila sot, ndoshta ka harruar sesi ishte koha kur në Shqipëri kërkoheshin viza dhe kur kishte radhë nëpër ambasada, është në fakt produkt i politikës dhe njerëzve si Tanja, të cilët mendojnë se që Evropa të jetë një vend më i mirë, duhet fillimisht të heqë barrierat mes njerëzve. Besoj se insistimi i një politike progresive prodhon një rezultat konkret që impakton jetën e njerëzve”, shtoi Veliaj.

Nga ana e saj, europarlamentarja Fajon ndau historinë e karrierës së saj, jo vetëm politike, me të rinjtë dhe kërkoi nga ata që të jenë qytetarë të angazhuar, pasi vetëm kështu politika, por edhe shoqëria, bëhet më e mirë. “Gjatë punës time kam udhëtuar e punuar shumë me vendet e Ballkanit Perëndimor, e kam takuar shumë të rinj të zgjuar e inteligjentë. Kam ndjerë se ne mund të bëjmë më shumë se prindërit tanë, të kuptojmë realisht se jemi më të fortë nëse harrojmë kufijtë, nëse arrijmë të ndihmojmë dhe të kuptojmë njeri-tjetrin. Kështu, do të kemi një të ardhme më të mirë për ne, për brezin e ri. Ne kemi humbur shumë kohë të çmuar përgjatë historisë, ndaj është gjithnjë e më shumë e rëndësishme, në këto kohë krize në Evropë dhe në këtë kohë të ndryshimeve globale rreth nesh, që të tentojmë të punojmë së bashku, të respektojmë njeri-tjetrin dhe të ndërtojmë atë çka është e mirë në rajon”, tha Fajon.