Familjet rome sistemohen në banesa sociale

Të gjitha familjet rome që jetojnë në Shkozë, por edhe një pjesë e atyre të Bregut të Lumit, do të sistemohen shumë shpejt në banesa sociale. Bashkia e Tiranës ka mundur të sigurojë një mbështetje financiare prej 500 mijë euro nga programi italo-shqiptar i konvertimit të borxhit (IADSA), të cilat do t’i përdorë për ndërtimin e banesave sociale për familjet rome që jetojnë në Shkozë dhe në Bregun e Lumit. Për këtë, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Financave, nënshkruan marrëveshjen e cila mundëson lëvrimin e kësaj mbështetje financiare.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi këtë një lajm të mirë, i cili njëkohësisht bën të mundur edhe mbajtjen e një nga premtimet kryesore të fushatës për t’i dhënë zgjidhje situatës së familjeve rome brenda vitit të parë. “Bashkisë së Tiranës i është akorduar një fond nga bashkëpunimi i ministrit të Financave me ambasadën italiane për konvertimin e borxhit në projekte konkrete. Ne kemi kontribuar për të sistemuar të gjitha banesat rome në Shkozë dhe besoj se do të jetë hera e parë ku një bashki ka një impakt praktik në terren. Ashtu siç ndërtuam disa shtëpi rulotë, ashtu do të bëjmë edhe banesa të qëndrueshme, për të zgjidhur një nga plagët e këtij qyteti, duke adresuar një problematikë që kishte vite pa zgjidhje. Më vjen mirë që për komunitetin rom e mbajmë fjalën që vitin e parë me këtë projekt”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Më tej ai shtoi se tashmë me anë të këtij investimi dhe disa projekteve të tjera, çështja e familjeve rome kalon nga emergjenca në zgjidhje të qëndrueshme. “Do të përfitojnë të gjitha familjet e Shkozës dhe një pjesë e familjeve të Bregut të Lumit, që momentalisht janë akoma rezidentë në qendrën e Emergjencave, çka do të na mundësojë që Qendrën e  Emergjencave ta kemi gjithmonë të lirë për emergjencat e radhës”, shtoi Veliaj.