Festifali i Mini-Volley

Në ambientet e “Tirana Fan Zone” në sheshin “Nënë Tereza” Bashkia e Tiranës dhe Federata Shqiptare e Volejbollit zhvilluan sot Festivalin e Mini-Volley për fëmijë. Festivalin e ndoqën nga afër kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Presidenti i Federatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandër Boriçiç, si dhe zëvendëspresidenti, Ozkan Mutlugil, i cili është njëkohësisht President i Federatës turke të Volejbollit, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, e shumë të rinj të pasionuar pas sporteve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës vlerësoi angazhimin e të gjithë fëmijëve për t’u marrë me sport dhe theksoi se kjo është mënyra më e mirë për një jetë të shëndetshme. “‘Tirana Fan Zone’ e kemi pajisur me disa fusha, ku njëkohësisht po luhet sport. Kemi disa fusha volejbolli, futbolli, futbolli në plazh dhe volejbolli në plazh, kemi pasur ekipe të taekondo dhe sporte të ndryshme. Kjo ka vetëm një qëllim, duam që ky entuziazëm i krijuar nga Kampionati Evropian i Futbollit të përkthehet në aksion konkret për qytetin e Tiranës. Ministria e Arsimit na thotë se 57% e fëmijëve ose janë obezë ose janë mbipeshë dhe ka vetëm 2 mundësi se si zgjidhet kjo: një mundësi është të mos bëjmë asgjë ose mundësia tjetër, të inkurajojmë një jetë aktive”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai falenderoi prindërit që kanë sjellë fëmijët në këtë Festival dhe u kërkoi atyre që të bëjnë edhe një hap tjetër në drejtim të një jete të shëndetshme, siç është edhe regjistrimi në një kurs volejbolli, futbolli, basketbolli, taekondoje apo çfarëdo sporti tjetër. Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë për t’u lënë fëmijëve një sistem vlerash ku shëndeti dhe jeta fizike është mënyra e duhur sesi ata duhet të jetojnë jetët e tyre. “Kjo e sotmja është investim në kulturë ndaj dhe dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, të gjithë prindërve që kanë fëmijë, regjistrojini fëmijët në një klub, në një skuadër, në një ekip. Më vjen mirë që gjithashtu shumë nga shkollat tona janë hapur si qendra komunitare. Rezervoni palestrën e shkollës për të organizuar një lojë mes jush ose me kolegët e punës. Besoj se me pak përkushtim nga secila familje, mund të kemi qytetin e ëndrrave kur vjen puna tek jeta e shëndetshme” ai.

Për këtë qëllim, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës po punon që të krijojë më shumë kushte dhe infrastrukturë, e cila mundëson nxitjen e një jete aktive dhe fizike. “Bashkia e Tiranës po ecën shumë shpejt me disa projekte. Parku Olimpik do të jetë gati këtë vjeshtë, pjesa e lojërave me dorë. Ndërkohë që brenda këtij viti do të kemi një projekt për Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Pallati do të bëhet nga e para, është sot totalisht i amortizuar”, shtoi Veliaj. Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës do të fillojë disa investime të tjera që inkurajojnë jetën e shëndetshme, siç janë investimet në kënde lojërash.

“Pas suksesit të këndit të lodrave që është projektuar me lodra të karakterit fizik për fëmijët, ne do të përfundojmë të gjithë pistën e vrapimit dhe pistën e çiklizmit në Liqenin e Tiranës. Pra, për ta kompletuar të plotë të gjithë hapësirën e liqenit. Gjithashtu do të fillojmë edhe me pistat e biçikletave edhe në Liqenin e Kasharit për të inkurajuar sa më shumë lëvizjen fizike”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa, Presidenti i Federatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandër Boriçiç në fjalën e tij ka falënderuar në mënyrë të veçantë Bashkinë e Tiranës dhe Federatën Shqiptare të Volejbollit për mundësinë që u dhanë gjithë këtyre fëmijëve për t’u angazhuar në këtë festival volejbolli, duke theksuar se të gjitha institucionet duhet të bëjnë më shumë për sportin.