Gati konvikti i Hoteleri-Turizmit

Konvikti i shkollës profesionale Hoteleri-Turizëm i është kthyer plotësisht nxënësve, jo vetëm me kushte më të mira, por edhe me ambiente të plota. Pas zhvendosjes së banorëve që e kishin zaptuar një pjesë të konviktit prej gati 20 vitesh, Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e godinës duke mundësuar kushte më të mira për 180 nxënësit që do të jetojnë aty gjatë vitit shkollor. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Pandeli Majko, vizituan ambientet e rikonstruktuara të konviktit dhe vlerësuan punën e kryer, sidomos në ambientet e zaptuara, të cilat ishin në një gjendje shumë të keqe dhe të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e nxënësve që jetonin në dy katet e sipërme të ndërtesës.

“Nuk kemi nevojë vetëm për kantiere infrastrukture, por edhe për kantiere sociale dhe ajo që po hapim sot është një kantier social. Ky është një konvikt i cili strehon 180 nxënës që vijnë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, që kërkojnë një mundësi suksesi në Tiranë, pranë një shkolle shumë të kërkuar, të cilën ne po e promovojmë edhe me politika qeverisëse, si Hoteleri-Turizmi”, tha kryebashkiaku Veliaj. Më tej, duke iu referuar ambienteve të reja të përfituara nga lirimi i dhomave të zaptuara, ai theksoi se bashkia ka vendosur t’i zgjidhë të dyja problemet, kthimin e këtij konvikti nxënësve, dhe nga ana tjetër gjetjen e strehimit për banorët e larguar.

“Sindromat e vitit ‘97 nuk mund të vazhdojnë edhe 20 vjet më pas. Kemi ende territore të zaptuara, disa herë nga njerëz që kanë pasur një strehim tjetër që e kanë lëshuar me qira dhe ndërkohë përfitonin qyl nga shteti. Kjo nuk funksionon. Nuk mund të zgjidhim një problem duke shkaktuar një problem tjetër, por mund të bëjmë atë që po bëjmë sot, i kemi zgjidhur të dyja problemet. Për banorët që kanë qenë realisht nevojtarë ka një banesë sociale, ka bonus qiraje, ka një qendër të emergjencave të strehimit, kurse për nxënësit që vijnë nga komunitete me të ardhura modeste, nga familje në fshat, me një pagesë shumë minimale, 200 lekë në ditë, 6000 lekë në muaj, marrin këtu tre vakte dhe strehimin e garantuar”, theksoi kryetari i bashkisë. Veliaj tha se ajo që ndodhi me këtë konvikt nuk është vetëm një rregullim territoresh, por në thelb është një mundësi, një shans, një biletë për t’ia dalë dhe për të ofruar minimumin e kushteve jetike për të gjithë ata nxënës që vijnë në Tiranë për të qenë të suksesshëm.

“Sot të gjitha hapësirat në konviktet e Tiranës, konvikti i shkollës elektrike, konvikti i Liceut, konvikti i Gjuhëve të Huaja, konvikti i Ekonomikut dhe konvikti i Hoteleri-Turizmit janë të liruara dhe mezi presim që 700 qytetarëve të rinj të Tiranës, që vijnë nga e gjithë Shqipëria, t’u themi mirë se erdhët dhe paçi fat!”, u shpreh Veliaj. Ai ka theksuar se zona ku gjendet ky konvikt është një lagjet që po pëson një transformim total dhe kjo për shkak të projekteve që po zbatohen në të. “E shikoni që Tirana është një kantier i hapur dhe këtu ku jemi, pranë Qytetit të Nxënësve, është duke u bërë mbikalimi, rruga e re, janë duke u bërë nga rrugët anësore, do të fillojë shumë shpejt projekti që lidh 600 metra nga qendra “Kristal” dhe “Komuna e Parisit” deri te nyja e “Kombinatit Ushqimor”. E gjithë Tirana është një kantier pune”, theksoi Veliaj.

Ndërkohë, deputeti Pandeli Majko përshëndeti punën e kryer nga bashkia në këtë konvikt. “Bashkia ka bërë një punë shumë të mirë, sepse jo vetëm që e zhbllokoi situatën duke liruar hapësirat dhe duke i vënë ato në funksion të nxënësve, por edhe familjet që u larguan nga këtu, janë strehuar. Mbetet që kjo të vazhdojë edhe për shkollën, pasi edhe aty kemi familje, në mënyrë që e gjithë godina të vihet në funksion të nxënësve, pasi kjo është nga shkollat profesionale më të kërkuara, sidomos për djemtë dhe vajzat në fshat, të cilët duan të marrin një shkollë profesionale. Ky konvikt është, le të themi, një dhuratë”, u shpreh Majko.

Konvikti i Hoteleri-Turizmit ka një kapacitet prej rreth 180 nxënësish, të cilët janë përkatësisht të shkollave: Ndërtim, Elektrik dhe Hoteleri-Turizëm. Gjatë periudhës Dhjetor 2015-Gusht 2016 në këtë konvikt janë kryer një sërë punimesh, u bë kolaudimi i bombolave të gazit për të garantuar siguri maksimale për jetesën e nxënësve, si dhe u rregullua sistemi elektrik dhe ai hidraulik, të cilat më parë ishin jo funksionale. Është krijuar një ambient komod për studim dhe takime me nxënësit. Gjithashtu, është ndërtuar një ambient i këndshëm sportiv, ku nxënësit mund të ushtrojnë tre disiplina sportive si: futboll, basketboll dhe volejboll, si dhe u realizua vendosja e gjashtëmbëdhjetë kamerave në ambiente të ndryshme të konviktit, për të mbikëqyrur mbarëvajtjen ditore dhe për të krijuar siguri te nxënësit dhe stafi i punonjësve.