Gati për problematikat që mund të shfaqen prej rreshjeve

Bashkia e Tiranës njofton të gjithë qytetarët e saj se gjatë orëve në vijim dhe gjithë ditës së nesërme, sipas parashikimeve nga rrjetet meteorologjike vendase dhe të huaja, pritet një mot i keq me sasi të mëdha dhe rreshje të dendura shiu, në nivele të atilla saqë mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit.

Për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka thirrur sot shtabin e emergjencave për të ndarë detyrat për 24 administratorët dhe për të gjitha ekipet lokale të ndihmës, si dhe marrjen e të gjitha masave për përballimin e problematikave që mund të shfaqen gjatë mbrëmjes së sotme dhe ditës së nesërme.

Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e saj për të ndërhyrë e ardhur në ndihmë të qytetarëve për çdo situatë emergjente që mund të krijohet. Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve nga mbrëmja e sotme, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, gjatë natës së sotme dhe paradites së nesërme, kur pritet që intensiteti i rreshjeve të jetë më i lartë se zakonisht, të shmangin qarkullimin e panevojshëm. Po ashtu, Bashkia e Tiranës i bën thirrje qytetarëve që jetojnë në zonat rurale, që të marrin masa e të mos frekuentojnë brigjet e lumenjve në zonat që paraqesin rrezikshmëri.

Bashkia e Tiranës ka evidentuar edhe rrugët më problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar, si dhe do të ketë në terren, gjatë gjithë natës së sotme, 1200 punonjës dhe mbi 60 mjete, në ndihmë të qytetarëve në rast nevoje.

Bashkia e Tiranës do të bëjë çmos për të adresuar çdo problematikë që mund të lindë për shkak të rreshjeve të shiut gjatë orëve në vijim, por kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve të Tiranës për çdo shqetësim që ata mund të hasin, qoftë me trafikun e rënduar, qoftë me bllokimin e rrugëve që shfaqen si problematike pas rreshjeve të dendura të shiut.

Në raste emergjencash, ju lutemi të kontaktoni Bashkinë e Tiranës në numrin 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 112 ose administratorin e njësisë tuaj administrative.