Hapen 3 segmentet e Unazës së Vogël

Bashkia e Tiranës ka hapur sot për automjetet dhe biçikletat tre segmentet e rindërtuara të Unazës së Vogël, të cilat lidhin Bulevardin “Zogu i Parë” me kryqëzimin e rrugës së “Kavajës”, si dhe pjesën te “9 katëshet”. Punimet janë kryer në një kohë rekord prej afro dy muajsh dhe i gjithë ky investim vjen si një premtim i mbajtur i Bashkisë së Tiranës, për të përfunduar brenda qershorit një nga projektet e mëdha dhe strategjike për kryeqytetin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga disa të rinj me biçikleta, ishin të parët që kanë përshkruar korsinë kushtuar çiklistëve.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Veliaj theksoi se Unaza e Vogël është ndërtuar sipas standardeve më të mira infrastrukturore, duke respektuar të gjitha kategoritë, si ata që duan të ecin me makinë dhe biçikleta, ashtu edhe këmbësorët apo personat që nuk shikojnë. “Besoj se është investimi më demokratik, në kuptimin që ka respektuar hapësirat për të gjithë qytetarët, ata që përdorin transportin publik, që përdorin makinën private, që përdorin biçikletën, që janë me aftësi të kufizuar apo të verbër, të cilët kanë nevojë të përdorin shkopin e bardhë mbi pllakat treguese”, tha Veliaj.

Ndërkohë, ai ka theksuar se po vijojnë punimet edhe me pjesën e mbetur të Unazës së Vogël, ku aktualisht po punohet për zhvendosjen e nënstacionit elektrik, i cili do të mundësojë edhe lidhjen me pjesën e përfunduar të unazës. Vetëm pasi edhe ky segment të përfundojë, tha kreu i bashkisë, do të nisë puna për zbatimin e projektit të transformimit të sheshit “Skënderbej”. “Besoj se brenda Qershorit do fillojmë punën me sheshin “Skënderbej”. Puna në sheshin “Skënderbej” nuk do të fillojë e gjitha njëherësh, por me segmente. Pak a shumë, filozofinë e punës tonë e keni parë edhe këtu. Pra, nuk do të ketë një bllokim total të sheshit”, u shpreh Veliaj.

Ai ka theksuar se hapja e Unazës së Vogël në të gjitha pjesët e saj do të sjellë një lehtësim për trafikun dhe do bëjë të mundur edhe kthimin e sheshit “Skënderbej” në pedonale. “Ne do të vazhdojmë me investimet në infrastrukturë, por mbi të gjitha duhet të ketë investime në kulturë. Çka do të thotë se për distanca të vogla nuk funksionon të vish vërdallë me makinë nëpër Tiranë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës falnderoi qytetarët për mirëkuptimin gjatë kohës së bllokimit të segmenteve, duke kërkuar në të njëjtën kohë që këtë mirëkuptim ta tregojnë edhe për kohën e ndërtimit të sheshit “Skënderbej”. “Më vjen mirë që kufizimi i përkohshëm në këto segmente gjatë punimeve nuk solli një dramë të madhe për qytetin, sigurisht e shtoi pak trafikun, por me hapjen e unazës kjo zgjidhet sot dhe besoj se ky lloj mirëkuptimi duhet të na karakterizojë edhe gjatë 12 muajve që do të punojmë për sheshin ‘Skënderbej’”, deklaroi Veliaj.

Nga ana tjetër, Veliaj tha se është i vendosur që ashtu siç u bë me rrugën “Dritan Hoxha” dhe rrugën te Pallati i Kongreseve, çdo investim publik i Bashkisë së Tiranës të ketë të gjithë komponentët e nevojshëm, në mënyrë që ato t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve, të çdo kategorie qofshin ata. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me çështjen e transportit dhe parkingjeve, Veliaj bëri të ditur se shumë shpejt pallati i sportit “Asllan Rusi” do të shërbejë si terminal për autobusët që bëjnë linja ndërkombëtare.