Hapet për vizitorët Kulla e Sahatit dhe muzeu i brendshëm i saj

Kulla e Sahatit të Tiranës dhe muzeu i brendshëm i saj janë tashmë një pikë e denjë tërheqëse për vizitorët vendas dhe të huaj, si një monument i vijueshmërisë historike, por edhe i ndryshimit që ka pësuar qyteti i Tiranës. Kjo falë restaurimit të bërë nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, me mbështetjen e ambasadës amerikane dhe Dhomës së Kombëtare të Tregtisë. Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Mirela Kumabaro, kreu i Dhomës Kombëtare të Tregtisë, Nikolin Jaka, si dhe njerëz të artit e biznesit.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj e cilësoi simbolin e kryeqytetit si një vlerë historike e cila vijon të dëshmojë për vazhdimësinë e gjërave. “Disa gjëra janë të përkohshme, si cic-micet e ditës, debatet e konfliktet, megjithatë ka disa gjëra të tjera që jetojnë gjatë dhe Sahati i Tiranës është një ndër ato simbole që na kujton se pavarësisht se çfarë ndodh në jetën tonë, ai do të mbetet këtu edhe kur të mos jemi ne. Ndaj besoj se duhet të investojmë gjithnjë e më shumë për gjëra që mbeten në jetën e secilit prej nesh, se sa për gjëra kalimtare me të cilat ndonjëherë harxhojmë shumë kohë e debate të kota”, deklaroi Veliaj. Ndërsa solli në vëmendje historinë e ndërtimit të Kullës së Sahatit nga Haxhi Et’hem Beu, Veliaj përmendi ndryshimet e vazhdueshme të saj në periudha të ndryshme të historisë, por edhe qëndresën ndër vite.

“Sahati është një monument qëndrese, një monument që na kujton vijueshmërinë, por sigurisht është edhe një monument ndryshimi, i cili është bërë më i përsosur teksa ka ndryshuar. Ndaj, besoj se puna që kanë bërë kolegët e Monumenteve të Kulturës për restaurimin e tij, tregojnë se ne mund të ruajmë duke u kujdesuar që gjërat nuk prishen, që gjërat të riparohen, që gjërat të ndriçohen, që fasadat të pastrohen”, u shpreh kryebashkiaku. Kulla, e cila ka një ariktekturë mikse mes asaj të stilit otoman, venecian, por edhe pak perëndimor, sipas Veliajt, është treguesi më i mirë i asaj që është vetë Tirana.

“Ndërtesa e Kullës është simbol fantastik, i cili përshkruan se çfarë është në vetvete Tirana. Tirana është një miks, një miks kulturash. Sot gjithnjë e më pak ka njerëz që thonë “jam tirons”, sepse në fakt shumica dërrmuese e njerëzve të Tiranës kanë ardhur më vonë, ndër vite dhe besoj se për sa kohë Tirana do të jetë një magnet i fuqisë ekonomike, politike, sociale dhe kulturore, gjithmonë do të ketë njerëz që do të vijnë në Tiranë dhe besoj se do e pasurojnë qytetin, ashtu si çdo brez ka pasuruar dhe monumentin e Kullës së Sahatit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës falenderoi edhe donatorët që bënë të mundur restaurimin e këtij monumenti kulture. “Kur filluam projektin për të adoptuar një kopsht apo çerdhe, kishte shumë njerëz që thoshin se këto janë ide komplet amerikane, se në Shqipëri nuk dhuron njeri për gjëra publike sepse ne nuk e kemi këtë lloj filantropie. Por, kjo rezultoi plotësisht e pavërtetë! Ndjenjën e filantropisë e kemi pasur që kur është themeluar ky qytet, që kur u ndërtua Kulla e Sahatit, që kur u ndërtua Xhamia, Pazari. Ndjenjën e filantropisë e kemi trashëguar ndër vite”, tha ai.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi se monumenti, përveç vlerave historike është edhe dëshmi e trashëgimisë tonë kulturore. “Ajo që është e rëndësishme është se sot në Tiranë, por jo vetëm, kur flasim për trashëgiminë kulturore nuk flasim më për shkatërrime, nuk flasim për rrënim, por debati është për cilësi. Kështu që, përfitoj për të falenderuar të gjithë ata që me debatin e tyre, kritikat, sollën cilësinë e restaurimit në qendër të vëmendjes së debatit të shoqërisë. Ky është një hap shumë i madh përpara”, tha Kumbaro.

Kulla e Sahatit tashmë do të jetë e hapur edhe për publikun. Çdokush që dëshiron të sodisë Tiranën nga maja e kullës mund të përshkojë 90 shkallët e saj në formë spiraleje, në një lartësi prej 35 metrash për të soditur qendrën e kryeqytetit nga një kënd tjetër.