Hapet segmenti i fundit i Unazës së Vogël, lehtëson trafikun në qendër

Ashtu siç ishte premtuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u hap sot edhe segmenti i fundit i Unazës së Vogël, i cili pritet të lehtësojë trafikun në qendër të kryeqytetit. Falë punës intensive të Bashkisë së Tiranës,  tashmë segmenti i Unazës së Vogël, nga Ushtari i Panjohur te Banka e Shqipërisë, është funksional, çka ndihmon në qarkullimin më të shpejtë të automjeteve. Në përfundim të punimeve, ishte i pranishëm kryebashkiaku Veliaj, i cili theksoi se ky projekt është tregues i asaj ç’ka mund të jetë Shqipëria nëse punohet dhe bashkëpunohet.

“Ky ka qenë një projekt për të cilin flitej prej 25 vitesh, me shpronësime, me ndërtesa që duheshin prishur, me pengesa burokratike, stërkëmbësha politikë, llafe e llogje. Por, ky projekt mund të jetë edhe një metaforë e asaj ç’ka mund të bëhet Shqipëria, nëse punohet dhe bashkëpunohet. Nëse fokusohemi te puna, atë që kemi bërë këtë vit në Tiranë, mund ta bëjmë kudo. Në qoftë se bashkia lejohet të punojë, e nëse nuk harxhojmë kohë me debate bosh apo duke i vënë stërkëmbësha njëri-tjetrit, puna ecën jashtëzakonisht mirë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku vlerësoi punën e kryer në këtë segment edhe gjatë ditëve të pushimit.

“Kjo është një tjetër rrugë me të gjitha standardet. Është një rrugë që ka hapësirë për makinat, 4 korsi, gjithashtu edhe 2 korsi për biçikletat, në secilën anë, dhe ka mjaftueshëm hapësirë për këmbësorët në trotuare. Ka edhe një korsi të veçantë që vazhdon përgjatë gjithë Unazës së Vogël për personat e verbër, që të kenë mundësi të aksesojnë qytetin. Ishte një operacion i sukseshëm edhe zhvendosja e nënstacionit elektrik, çka do të thotë se Tiranën, me pak dëshirë, vullnet të mirë e shumë punë, mund ta çojmë në drejtimin e duhur”, tha ai. Veliaj theksoi se ky projekt nuk mbaron këtu, pasi do të vijojë puna me intensitet edhe për projektin e sheshit “Skënderbej”, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë e krijuara në një qytet si Tirana, që është gjithmonë në zhvillim.

“Do të doja që në festat e tjera të nëntorit t’i kemi përfunduar të gjitha proceset, edhe pse pjesa kryesore e sheshit do të përfundojë në qershor. Mandej, fokusin do ta kemi te “Bulevardi i Ri”. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës për durimin. Në një qytet që shtohet me nga 20 mijë vetë çdo vit, përafërsisht 50 vetë në ditë që transferohen në Tiranë, gjithmonë do të ketë ngarkesë. Gjithmonë do të ketë ngarkesë në trafik, në rrugë. Është vetëm çështje kulture që këtë shtesë të popullsisë që e kemi të destinuar çdo vit si qendër kryesore ekonomike, ta përballojmë me sa më shumë mirëkuptim”, tha Veliaj. Në këtë kuadër, kryetari i Bashkisë ftoi të gjithë qytetarët që të kufizojnë përdorimin e automjeteve dhe të përdorin mjetet alternative të transportit.

“Nëse vërtet nuk kemi punë në qëndër, le të përdorim një unazë pak më të largët dhe mos ta sjellim gjithë trafikun në qendër të qytetit. Unë besoj se për pjesën e qëndrës duhet të përdorim sa më shumë biçikletën ose të ecim në këmbë, kurse makinën ta nxjerrim vetëm për destinacione që janë realisht të largëta, përndryshe nuk do e kemi zgjidhur trafikun”, tha ai. Kreu i bashkisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë pastër ambientin ku jetojnë dhe punojnë.

“Më parë, një patriot i vërtetë duhet të jepte jetën për liri dhe duhet të bënte sakrifica të mëdha. Sot ftesa ime për të qenë patriot në Tiranë është të mos e ndosim qytetin, të mos e zaptojmë atë, të mos bëjmë ndërtime pa leje nëpër rrugë, nëpër trotuare, nëpër lumenj, afër shkollave, afër kopshteve. Ky është patriotizmi që na duhet sot. Nga java tjetër nisim procesin e diferencimit të mbetjeve në Tiranë. Patriotizëm do të thotë të ndajmë mbeturinat, që të sigurohemi që qyteti është i pastër dhe vetëm kështu mund të themi realisht që jemi krenar që jemi shqiptarë”, tha kryebashkiaku. Ndërkohë, Veliaj bëri të ditur se ka përfunduar edhe Plani Urbanistik i Tiranës, i cili brenda muajit dhjetor do të dërgohet për miratim në Këshillin Bashkiak.

“Kemi përfunduar Planin Urbanistik të Tiranës dhe brenda dhjetorit do ta çojmë në Këshillin Bashkiak. Më vjen mirë që pas konsultimeve që kemi bërë me 24 njësitë, forumet dhe ekspertët, kemi një Plan Urbanistik të Tiranës së 100 viteve të ardhshme. Do të kërkoj bashkëpunime me të gjithë. Ashtu siç e provoi ky projekt, kur focat politike bashkëpunojnë, kur kryetari i Bashkisë nuk fle gjumë, kur njerëzit nuk merren me llafe, por fokusohen te puna, gjërat ecin mirë për qytetin tonë. Ky ka qenë një vit fanstastik për Tiranën, por më e mira është përpara”, tha Veliaj.

Për ndërtimin e Unazës së Vogël, brenda një kohe të shkurtër u bë e mundur shembja dhe shpronësimi i pronarëve që prekeshin nga ndërtimi i këtij segmenti, si dhe u zhvendos nënstacioni elektrik që ishte kthyer në një problem prej vitesh edhe për banorët që jetonin aty pranë. Gjithashtu, përveç ndërtimit të segmentit dhe të kanalizimeve, u zhvillua infrastruktura nëntokësore dhe mbitokësore. Sakaq, OSHEE nga ana e saj bëri të mundur përfundimin e zhvendosjes dhe lidhjes së fidrave në Nënstacionin elektrik në qendër më shpejt se sa ishte parashikuar në kontratë, data 15 dhjetor, duke e mbyllur të gjithë procesin në datë 26 nëntor.