Hidrocentrali Lanabragasit, jo shpërdorime të ujit të pijshëm

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka bërë sot thirrje qytetarëve të Tiranës që të tregohen të kujdesshëm me ujin e pijshëm dhe të mos e shpërdorojnë atë në këto ditë të nxehta vere. Në vizitën e tij në hidrocentralin e Lanabragasit, i cili përveçse prodhon energji elektrike, shërben edhe si furnizues me ujë të pijshëm për qytetin e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj tha se në këtë mënyrë sigurohemi që të mos ketë probleme me furnizimin me ujë gjatë stinës së verës.

Pasi pa nga afër kushtet në të cilat funksionon hidrocentrali i Lanabregasit, ai shtoi se muajt e verës pritet të jenë me temperatura tepër të nxehta. “Dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të kursejnë ujin dhe të sigurohemi që nuk lajmë makinat me ujë të pijshëm, nuk ujisim e vadisim me ujë të pijshëm sepse kjo e dëmton jashtëzakonisht prurjen që kemi në rrjet, duke na çuar në një situatë të një thatësire të rrjetit tonë, kjo falë edhe amortizimit e ndërhyrjeve të paligjshme që kanë ndodhur ndër vite”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai deklaroi se Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë disa muaj që po punojnë për të ndërprerë çdo lidhje të paligjshme, duke zëvendësuar rrjetin e dëmtuar, në mënyrë që të sigurohet furnizim normal me ujë për qytetin. “Vetëm në zonën e Dajtit, bashkia dhe UKT kanë kryer disa ndërhyrje për të ndërprerë lidhjet e paligjshme. I ftoj qytetarët të na njoftojnë nëse dikush kryen ndërhyrje në tubacionet kryesore që sjellin ujë në Tiranë”, shtoi Veliaj. Gjithashtu, ai tha se Bashkia e Tiranës, nëpërmjet administrimit të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, ka mundur që në një vit ta shndërrojë hidrocentralin e Lanabregasit në një burim të mirë të ardhurash, duke rritur efiçencën e prodhimit të energjisë dhe shitjes së tij.

“Më vjen mirë që e kemi nxjerrë këtë kompani nga kolapsi dhe sot po sjell fitime për Bashkinë e Tiranës. Shpresoj që do të vijojë në këtë lloj mbarësie financiare, për t’u siguruar që çdo aset i qytetarëve të Tiranës të administrohet mirë, të prodhojë energji dhe të ardhura financiare për Bashkinë e Tiranës, siç po prodhojnë agjencia e parkingjeve apo UKT. Kështu, sigurohemi që për herë të parë të kemi një bashki të shëndoshë nga ana financiare”, tha Veliaj. Ai theksoi se Bashkia e Tiranës do të propozojë edhe një formulë të përdorimit të energjisë që prodhohet nga ky HEC për të përballuar konsumimin energjisë për ndriçimin e qytetit dhe shërbimeve të tjera.

“I kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë një marrëveshje me operatorët energjetikë, ku për nevojat e qytetit të Tiranës, në vend që të shesim me shumicë dhe të blejmë me pakicë për ndriçim dhe ngrohje të institucioneve publike dhe rrugëve të qytetit, do të propozojmë një skemë, ku bashkia jep energji në rrjetin e transmetimit dhe nuk paguan për gjithë energjinë që shpenzon”, tha Veliaj. Kjo, sipas kryetarit të bashkisë, do ta bënte Tiranën qytetin e parë në Ballkan, i cili nuk paguan asnjë qindarkë për energjinë elektrike të nevojave të qytetit sepse e prodhon vetë për rrugët, ndriçimin dhe institucionet publike. “Brenda këtij viti do t’i japim udhë kësaj marrëveshje dhe do të sigurohemi që të tregohemi akoma më të kujdesshëm me financat publike të qytetit të Tiranës”, shtoi ai.

Hidrocentrali i Lanabregasit gjendet afërsisht 10 km nga Tirana, ndërsa uji merret nga një lartësi 980m dhe nëpërmjet një tuneli arrin në rezervuar. Turbinat bëjnë të mundur që uji të dërgohet në depozitat e ujit, dhe prej andej në sistemin e shpërndarjes së ujit të qytetit të Tiranës. HEC-i i Lanabregasit luan një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm në aspektin e prodhimit të energjisë, por edhe për sistemin e shpërndarjes së ujit në Tiranë. HEC-i ka një fuqi të instaluar 5000 këh dhe është i pajisur me dy turbina me kapacitet 2500 këh secila.