IMT aksion në rrugën “Shefqet Musaraj”

Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe sot me aksionin për çlirimin e hapësirave publike në kryeqytet. Në kuadër të rikonstruksionit të rrugës “Shefqet Musaraj” dhe rikualifikimit të sheshit, Blloku 22 në Tiranë, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Tiranë, në bashkëpunim me punonjësit e Policisë Bashkiake, kanë nisur shembjen e disa mureve dhe ndërtimeve, të cilat bllokonin vijimin e punimeve për rikonstruksionin e kësaj rruge.

Gjatë aksionit të sotëm të IMT-së, u bë e mundur shembja e një muri dhe disa shtesave pa leje në hapësirën e të cilave është planifikuar kalimi i rrugës së re. Po ashtu, në ditët në vijim, aksioni do të vijojë me shembjen edhe të disa mureve rrethuese të disa banesave, të cilat janë njoftuar më parë nga ana e punonjësve të IMT dhe Policisë Bashkiake.

Aksioni i Bashkisë së Tiranës për çlirimin e hapësirave të zaptuara midis pallateve nga ndërtime të paligjshme ka nisur prej disa javësh. Pak ditë më parë, IMT-ja dhe Policia Bashkiake ishin në Njësinë Administrative nr. 3, ku mure rrethues, garazhe automjetesh apo depo të improvizuara u shembën në funksion të lirimit të hapësirave publike në kryeqytet. Gjithashtu, aksioni është përqendruar edhe në prishjen e ndërtimeve pa leje mbi kolektorë.