Investimet e bashkisë ulën pasojat e përmbytjeve

Falë masave të ndërmarra nga shtabi i emergjencave, por edhe investimeve të kryera gjatë këtij viti në disa nga zonat më problematike të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës ka mundur të përballojë me sukses situatën e krijuar pas reshjeve të dendura të shiut në dy ditët e fundit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi sot një takim me 24 administratorët dhe grupin e emergjencave, ku analizoi situatën e krijuar si pasojë e reshjeve, ndërsa theksoi se si pasojë e angazhimit të të gjitha strukturave, emergjenca kaloi dhe shumica e zonave po i rikthehen normalitetit. Ai theksoi se situata e krijuar në 48 orët e kaluara tregoi edhe një herë efikasitetin e investimeve që ka kryer Bashkia e Tiranës gjatë këtyre muajve.

“Në zonat ku ka ndërhyrë Bashkia e Tiranës, nuk kemi pasur probleme. Situata e djeshme në zonat urbane u menaxhua vetëm me bllokimin e rrugëve në më pak se 90 minuta”, tha Veliaj. Ai vuri në dukje se një shembull për këtë ishte investimi në zonën e lumit të Tiranës, ku aty ku është ndërhyrë nuk pati për asnjë moment emergjencë nga prurjet e ujit. “Nuk patëm probleme në pjesën e lumit të Tiranës, përveç segmentit për të cilin kam kohë që këmbëngul se duhet liruar nga ndërtimet pa leje në shtrat. Ndaj besoj se organizatat e shoqërisë civile dhe avokatët në mbrojtje të interesit legjitim të banorëve për strehim, besoj se janë të bindur që bashkia ka të drejtë”, shtoi Veliaj.

Nisur nga ky fakt, kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që të vijojë edhe këtë vit investimet, qoftë në lumin e Tiranës, ashtu edhe në pjesët e tjera ku ende mbartet reziku i përmbytjeve. “Problemet rifillojnë tek ura e Kamzës, aty ku ka mbaruar projekti i Bashkisë. Edhe për këtë jemi në prag të marrjes së një vendimi. Në pjesët ku bashkia ka investuar, kemi pasur pak ose aspak probleme, ndaj besoj se nuk kemi shembull më të mirë se dita e djeshme për të vazhduar me këtë frymë investimesh në qytet”, theksoi ai. Veliaj tha se një tjetër masë që do të merret është edhe ajo për të zhvendosur të gjithë banorët që kanë ndërtuar në shtratin e lumit, duke i ofruar atyre si mundësi përfitimin nga programet sociale të strehimit.

“Kemi dy mundësi: Mund të vazhdojmë ta shtyjmë pafundësisht këtë histori dhe sa herë që shkojmë te njësia 4 të bëjmë të njëtat evakuime ose të nisim zhvendosjen e familjeve aty. Bashkia e Tiranës i ka trajtuar me bonus qiraje. Jemi të gatshëm edhe për qendrën e emergjencës, edhe për banesa sociale. Duke filluar nga janari, për ata që kanë interes, jemi të gatshëm edhe për kredi të buta. Pra, për sa kohë që bashkia ofron 4-5 zgjidhje të pranueshme, nuk ka arsye pse dikush duhet të jetojë në breg të lumit”, njoftoi Veliaj. Një tjetër zonë ku do ndërhyhet është edhe lumi u Lanës, në dy ekstremitetet e tij: në zonën sipër maternitetit të ri dhe atë që vazhdon pas urës, te zona e njohur si pallati me shigjeta.

“Kam një lajm të mirë për njësinë 1, 7 dhe Kasharin: Sapo kemi miratuar me qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Transportit për të investuar në segmentin nga Materniteti i Ri deri në Shkozë; është një investim i jashtëzakonshëm, praktikisht e rrit me 50% lumin e Lanës dhe shëtitoret, shton edhe vlerën e pronës, që gjendet për karshi, dhe besoj se do të jetë një nga projektet historike të Tiranës. Ndërkohë që pjesa e dytë, ajo nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar do të bëhet falë një kredie të Bankës Europiane të Investimeve, që qeveria ia ka alokuar Bashkisë së Tiranës. Në fund të këtij procesi do të kemi dyfishuar Lanën e rehabilituar me trotuar, me kaskadë të stabilizuar, me shëtitoret përkatëse, me gjelbërim”, tha Veliaj. Ai theksoi se falë pakësimit të intensitetit të reshjeve, por edhe punës së zhvilluar nga strukturat dhe specialistët e Bashkisë së Tiranës, situata në ujëmbledhësin e Bovillës është përmirësuar ndjeshëm dhe tashmë është krijuar mundësia për të normalizuar situatën e furnizimit me ujë të qytetarëve.

“Sot kemi furnizim me ujë nga Shën Mëria, ndërkohë që, janë sjellë në parametrat e pranueshme prurjet në Bovillë. Përsa i përket ndotjes së ujit, nga 4 mijë Ntu, që ishim dje, sot është nën 900 Ntu. Do të thotë se sot kemi filluar furnizimin me ujë të plotë, kështu që vetëm mëngjesi dhe ndoshta do të ndjehet pak në drekë, ndërkohë që gjithë pjesa e pasdites, kur mbushen depozitat, dhe furnizimi i darkës, do të jetë brenda normave në Tiranë”, tha ai. Veliaj u shpreh se pas një administrimi efikas të situatës në ditën e parë, u bë e mundur që edhe institucionet social-arsimore të mos mbyllen. Ai gjithashtu në vazhdën e përpjekjeve për të mbajtur një qytet të pastër dhe europian ka kërkuar nga administratorët, ndërlidhësit dhe gjithë qytetarët që të angazhohen për të realizuar me sukses aksionin e përgjithshëm të pastrimit të Tiranës që do mbahet më 13 nëntor.

“Kemi dy mundësi: ose të ankohemi pse janë gjërat kështu, ose të bëjmë diçka që gjërat të ndryshojnë. Unë i pari do të përvesh mëngët, do marr qesen dhe dorezat, për të bërë pastrim. Le t’u bëjmë një ftesë të gjithë qytetarëve, sepse vërtet s’kemi çfarë t’i bëjmë shiut, por plehrave kemi çfarë t’u bëjmë, mjafton t’i hedhim në vendin e duhur dhe mos e ndotim Tiranën”, shtoi Veliaj. Gjatë mbledhjes me administratorët, Veliaj sqaroi se nuk do të ketë asnjë rritje të taksave për vitin 2017, kjo falë punës së mirë që është bërë për mbledhjen e tyre.

“Nuk do të ketë asnjë rritje taksash për qytetarët dhe bizneset e Tiranës, sepse unë besoj që një familje nikoqire bën më shumë me mundësitë që ka. Ndaj më vjen mirë që do kemi një paketë akoma më të fuqishme investimesh, pa rritur fare taksat dhe tatimet e Bashkisë së Tiranës. Pa i rritur taksat dhe pa rritur vlerën e tatimeve për secilin familjar apo biznes në Tiranë, kemi rritur bazën”, tha ai. Kryebashkiaku Veliaj përshëndeti marrjen e rekomandimit pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, duke theksuar se në fund të këtij procesi, edhe Tirana do të jetë një nga kryeqytetet e BE-së.

“Dua t’i uroj të gjithë qytetarët pasi sot Shqipëria ka marrë një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave. Për Tiranën është një rast i veçantë sepse nuk kemi vetëm një kryeqytet në Europë, por me të gjitha gjasat kur ky proces të mbarojë, do të jetë një nga kryeqytetet e BE-së. Ndaj, besoj se për Tiranën është një moment i mirë, një moment jashtëzakonisht pozitiv. Dua të uroj Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, përfaqësuesit e mazhorancës tonë që kanë punuar fort. Por, besoj se ashtu si Qeveria qendrore që ka performuar për të sjellë Shqipërinë shumë afër BE-së dhe të fillojë negociatat, besoj se ne si kryeqytet kemi gjithashtu barrën që gjithmonë e më shumë të sillemi si një kryeqytet europian”, përfundoi Veliaj.