Investojmë për fëmijët në periferi të Tiranës

Bashkia e Tiranës vijon investimet për shtimin e mjediseve kushtuar fëmijëve, duke u fokusuar jo vetëm në Tiranën e vjetër, por edhe në zonat periferike, si Bregu i Lumit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në këtë zonë për të inspektuar punimet që po kryhen për ndërtimin e godinave të reja arsimore e sociale dhe 14 ndërhyrje në infrastrukturë, me financim nga Bashkimi Evropian.

“Garancia që kemi ofruar, që kur jemi zgjedhur, është se do të trajtojmë njësoj çdo komunitet, si ata që jetojnë në ish-Bllok, si ata që jetojnë në periferi të Tiranës. Më vjen mirë që në mes të korrikut, shkolla më e mirë, kopshti e çerdhja më e mirë dhe qendra më e mirë sociale në Tiranë do të jenë në Bregun e Lumit”, tha Veliaj. Ai theksoi se e gjithë zona e Bregut të Lumit është kthyer në një kantier të punëve publike për Bashkinë e Tiranës, në bashkëpunim me BE-në.

“Për të gjithë kritikët që mendojnë se ne investojmë vetëm në Parkun e Liqenit për fëmijët, kjo është prova më e qartë se ne po investojmë në të gjithë Tiranën, por sigurisht nuk do të shmangim as zonat tradicionale për kalimin e kohës së lirë. Nuk do të hezitojmë të investojmë siç po bëjmë në këtë komunitet, edhe në zonat periferike në zonën e Bregut të Lumit, ku ata që i përdorin gjërat politikisht e vizitojnë këtë pjesë të Tiranës vetëm në raste fatkeqësish”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se administrata e bashkisë është duke punuar çdo ditë në këtë zonë, për më shumë cilësi jete dhe për kopshte, çerdhet dhe shkolla me standarde për fëmijët. “Kemi premtuar se fëmijët e Tiranës janë të parët, çka do të thotë se ata do të gëzojnë shkollat më të mira të mundshme, çerdhet më të mira dhe kopshtet më të mira. Me çerdhet tashmë kemi filluar dhe kemi rikonstruktuar 31 prej tyre. Kopshtet janë misioni i radhës për këtë vit. Kurse shkollat janë mision i këtij mandati, për t’u siguruar që historia e shkollave me dy turne mbaron një herë e mirë”, tha Veliaj. Sipas tij, nga shtatori i këtij viti, fëmijët e zonës së Bregut të Lumit nuk do duhet të shkojnë në shkolla jashtë lagjes së tyre, por do të kenë një shkollë me të gjitha standardet në këtë lagje.

Paralelisht, me ndërtimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale, kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se po punohet edhe për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore. “Jemi duke investuar në 14 rrugë të njësisë 4 dhe njësisë 8, që i kanë territoret e tyre pranë zonës informale të Bregut të Lumit”, tha Veliaj. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të ndihmuar dhe lehtësuar zbatimin e këtij projekti. “Një metër i shkurtuar nga avllia e tyre, do të thotë 1 metër vlerë e shtuar në një rrugë që ka asfalt, trotuar dhe ndriçim. Ndaj i lus qytetarët për bashkëpunim. Civilizimi ka një kosto të vogël, por ama, në fund fitojnë të gjithë dhe fitojnë kryesisht ata që pranojnë që aty të kalojë një rrugë, që tolerojnë pak nga bahçja e tyre, për të siguruar se e gjithë lagjja dhe e gjithë vlera e pronës rritet, falë këtij investimi”, përfundoi Veliaj.

Për ndërtimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale projekti parashikon ndërtimin e tre objekteve, qendra sociale, çerdhe dhe kopshte, dhe një shkollë. Gjithashtu, do të ketë një qendër polifunksionale, kinema dhe mencë, e cila do jetë në shërbim të komunitetit. Midis palestrës së shkollës dhe vetë shkollës është parashikuar edhe ndërtimi i një godine për shërbimet, si dhe dhomat e zhveshjes për palestrën. Si për kopshtet, edhe për qendrën sociale, janë parashikuar të gjitha standardet termike, për t’u siguruar një qëndrim sa më komod të fëmijëve në shkollë. Kapaciteti i shkollës do të jetë 800-1000 nxënës, në varësi të nevojave që ka komuniteti.