Jepet zgjidhje për problemin e pallateve pa hipotekë

Të gjithë ata qytetarë të Tiranës, të cilët për arsye që lidhen me mungesën e dokumentacionit apo papërgjegjshmërinë e ndërtuesve, nuk kanë mundur t’i pajisin me hipotekë shtëpitë, nga sot kanë mundësi ta bëjnë atë pronë të tyre ligjërisht. Në mbledhjen e sotme, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi projektvendimin e propozuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i hap rrugë regjistrimit të këtyre apartamenteve në ZVRPP, duke i pajisur ato me certifikatë përdorimi. Gjatë prezantimit të projektvendimit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se i jepet fund përpjekjeve dhjetëra vjeçare të qytetarëve, të cilët pavarësisht se i kishin blerë këto pasuri, nuk mund t’i regjistronin ato në hipotekë.

“Vetëm në Tiranën brenda vijës së verdhë janë dhënë 1375 leje ndërtimi. Në total, në Bashkinë e Tiranës rreth 30% e tyre janë të pa hipotekuara dhe arsyeja kryesore për këtë është sepse nuk pajiseshin dot me leje përdorimi. Në shumicën e rasteve, përgjegjësia për këtë situatë është e ndërtuesve dhe e investitorëve, por ata që kanë paguar pasojat janë qytetarët. Ne kemi arritur t’u japim tashmë hipotekën disa pallateve në Tiranë, por me vendimin e sotëm i japim një zgjidhje të qëndrueshme këtij problemi”, tha Veliaj. Ai theksoi se ky vendim është gjithashtu, një premtim i mbajtur për t’i bërë qytetarët pronarë të vërtetë të apartamenteve të tyre, por edhe për t’i dhënë qytetit një pasuri që për shkaqe nga më të ndryshmet ishte e bllokuar dhe jashtë tregut.

“I mbani mend premtimet elektorale, pak ditë para zgjedhjeve të 2011-ës, kur thanë se do hipotekonin çdo pallat. Kjo nuk ndodhi, por unë nuk jam këtu ta bëj atë bilanc, jam këtu që ta zgjidh. As për ta kthyer kokën mbrapa, por për të shkuar para dhe për ta zgjidhur këtë problem, pavarësisht se kush duhet ta kishte zgjidhur. Ndaj ky është një revolucion; nuk ka rëndësi kush i merr meritat, rëndësi ka të zhbllokojmë 30% të pronës së pa hipotekuar në Tiranë që kishin mbetur pezull 4 vite në Bashkinë e Tiranës”, shtoi Veliaj. Më konkretisht, ky vendim parashikon që të pajisë me certifikatë përdorimi objektet e ndërtuara në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, të cilët nuk janë objekt trajtimi i ligjit “Për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, por me kushtin që afati i lejes së ndërtimit për këto objekte duhet të ketë përfunduar. Subjektet e interesuara, zhvilluesi, ndërtuesi ose qytetarët posedues të njësive të shërbimit apo banimit mbajtës të ligjshëm të kontratave të blerjes, duhet të paraqesin kërkesë pranë Bashkisë së Tiranës brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Në bazë të kërkesës së paraqitur, struktura përgjegjëse pranë bashkisë do të kryejë aktkontrollet që vërtetojnë se objektet janë kryer në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit dhe se në ditën e kontrollit nuk kanë sipërfaqe dhe volume shtesë në raport me ato të miratuara me lejen e ndërtimit. Në bazë të aktkontrollit të kryer dhe dokumentacionit të paraqitur, struktura përgjegjëse do të kryejë rishikimin e kushteve të lejes së ndërtimit. Pajisja me certifikatë përdorimi bëhet pas kryerjes se procedurave të përcaktuara dhe objektet e përcaktuara pajisen me certifikatë përdorimi për sipërfaqe dhe volumin e përcaktuar në lejen e ndërtimit të rishikuar.

Një tjetër vendim i rëndësishëm që miratoi Këshilli Bashkiak ishte edhe ai për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit, në ndihmë të krijimit të biznesit social rinor, i cili synon të krijojë lehtësi për ngritjen e biznesit social që do të ketë sipërmarrës të rinjtë nga të gjitha kategoritë, të cilët me projektet dhe propozimet e tyre bindëse, por edhe konkurruese, do i japin vetes mundësi punësimi e për më tepër prioritet hapjes së vendeve të reja të punës nga vetë ata. “E kemi thënë vazhdimisht se nuk po punojmë për zgjedhjet e ardhshme, por për brezin e ardhshëm. Kjo do të thotë se punësimi dhe nxitja e sipërmarrjes rinore duhet dhe do të marrë një vëmendje dhe mbështetje shumë më të madhe. Është një projekt që synon jo vetëm të krijojë mundësi punësimi për të rinjtë, por edhe t’u japë atyre një shans që të ndërtojnë diçka në të mirë të komunitetit ku jetojnë e veçanërisht të shtresave në nevojë apo personave me aftësi të kufizuar”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Projekti kontribuon në punësimin e personave të papunë, duke pasur në fokus edhe vajza e djem me aftësi të kufizuar, të cilëve jo vetëm u përmirëson standardin e jetesës, por i bën të ndihen të vlefshëm për shoqërinë dhe pjesë e saj. Do të vlerësohen ato projekte që janë më novatore, fitimprurëse, por edhe në përputhje me politikat e Bashkisë së Tiranës që ofrojnë një plan biznesi bindës dhe konkurues. Ngritja e një biznesi social do të përfshijë moshat e reja nga 18-35 vjeç. Fondi total i për vitin 2016 është 10 000 000 milionë lekë ndaj të cilit do të shpallen 20 përfitues dhe masa e financimit për individ do të jetë nga 500 000 lekë.

Këshilli Bashkiak miratoi edhe dy vendime që kanë të bëjnë me trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë, si dhe miratimin në parim të listës së qytetarëve përfitues dhe vlerës së Grantit të Menjëhershëm për banesat me kosto të ulët. Sipas këtyre vendimeve, trajtohen me bonus strehimi 59 familje, ndërsa 8 familje të tjera plotësojnë kushtet e kriteret e përcaktuara për përfitimin e grantit të menjëhershëm, për banesat me kosto të ulët. “Me këtë vendim i akomodojmë të dyja, edhe ato raste që i kemi pasur nga çlirimi i konvikteve. Kemi liruar 700 hapësira për djem e vajza që vinë, o nga rrethina të Tiranës, ose provincat e tjera të Shqipërisë dhe më në fund i kemi dhënë dum historisë ku zaptimi i konvikteve, në vend që të zgjidhte një problem social, shkaktonte një problem social tjetër. Duke filluar nga ky vit do të shtojmë shërbime për nxënësit në Tiranë, edhe me shërbime të dentistëve pa pagesë, edhe me disa shërbime të tjera sportive që Bashkia e Tiranës po investon në konvikte”, bëri të ditur Veliaj.

Këshilli votoi edhe vendimin për “Për kalimin në përdorim pa kundërshpërblim për shoqërinë “Eco Tirana” të pasurisë “Parku i Transportit Tiranë”, e cila do të përdoret vetëm si vend për administratën, trajnimin dhe parkimin e automjeteve që pastrojnë zonën përreth. “Është në një zonë, e cila tashmë njihet si parku i autobusëve. Nga administrata e kaluar ishte dhënë me qira për çfarëdolloj boti, makinash, automjetesh, kamionësh dhe ofiçinash, që operojnë aty. Bashkia këtë muaj e ka marrë në dorëzim, e ka pastruar nga të gjitha kontratat, edhe të gjithë përdorimet që bëheshin nga privatë dhe tani ka vendosur ta përdorë vetë për mjetet pastruese të Bashkisë së Tiranës që do të bëjnë pastrimin e po asaj zone”, u shpreh Veliaj.

Këshilli Bashkiak miratoi edhe disa ndryshime në rregulloren për “Organizimin dhe Funksionimin e Shërbimit Taksi në Qytetin e Tiranës”. Tashmë në bazë të këtyre ndryshimeve raporti i licensave të taksive 4+1 me licensat 8+1 do të jetë: për çdo 1000 automjete taksi, 95 % taksi 4+1 dhe 5 % automjete taksi 8+1. Ndërsa, licensimi i subjekteve të cilët do të operojnë në shërbimin taksi do të kryhet mbi bazën e shqyrtimit korrekt dhe transparent të dokumentacionit provues dhe shoqërues. “Me propozim të LSI-së dhe të mbështetur nga shumica e mazhorancës në Këshillin Bashkiak, kemi propozuar që të bëjmë një diferencim midis kompanive dhe individëve. Kjo do të thotë që kompanitë të cilat futen në treg dhe kërkojnë licensim, të aplikojmë që licencimi të ndodhë menjëherë për makinat hibrid dhe makinat elektrike. Ju e keni parë që Bashkia e Tiranës ka futur në përdorim këtë gjeneratë makinash, së fundi edhe OSHEE dhe Policia e Shtetit po fusin në përdorim publik përdorimin e makinave hibride dhe makinave elektrike. Për ata që e bëjnë këtë edhe për “Euro 6”, viti duhet të jetë viti i prodhimit, viti aktual ku aplikojnë. Për individët, licencat që janë personale, pra kur e punon një njeri dhe jo një koorporatë që ble 10-30 makina, atëherë për “Euro 6” ne e kemi nivelin e tolerancës deri në 2 vjet”, shtoi kryetari i Bashkisë.

Dokumentacioni për aplikim paraqitet pranë Qendrës së Licensimit Tiranë dhe çdo subjekt mund të aplikojë për një licensë dhe me një automjet, ndërsa personat juridik aplikojnë për një numër të pakufizuar licensash (mjetesh). Për çdo aplikim të ri, mjeti duhet të jetë i prodhuar në të njëjtin vit me vitin e aplikimit për licensim si dhe specifikat teknike të mjeteve duhet të kenë një nga kushtet e mëposhtme: Të jetë “Euro 6” ose një standard më i ri dhe i prodhuar në të njëjtin vit me vitin e aplikimit për licensim; Të jetë elektrik dhe i prodhuar në të njëjtin vit me vitin e aplikimit për licensim; Të jetë hibrid dhe i prodhuar në të njëjtin vit me vitin e aplikimit për licensim. Në rastin e rilicensimit mjeti nuk mund të jetë më i vjetër se 15 vite nga viti i aplikimit për rilicensim.

Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak u miratuan edhe një sërë vendimesh të tjera të rëndësishme midis të cilave: vendimi për “Disa ndryshime në nivelin e pagave dhe numrin e punonjësve të Institucioneve të varësisë”; vendimi për “Për disa shtesa në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr.38, datë 23.05.2016 “Për miratimin e numrit të punonjësve me kontratë me kohëzgjatje të caktuar për Drejtorinë e Përgjithshme nr.1 të Punëtorëve të Qytetit, Drejtorinë e Përgjithshme nr.1 të Punëtorëve të Qytetit dhe Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit”; vendimi për “Shprehjen e pëlqimit për dhënien me qira të fushave të tenisit pranë shkollës 9- vjeçare “Dora D’Istria”; vendimi për “Miratimin e propozimit për dhënien me qira të fushës së sportit në fshatin Mëzez, Njësia Administrative Kashar”; si dhe vendimi për “Një ndryshim në Vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2016- 2018 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2016.

Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë bëri të ditur edhe një sërë projektesh të tjera që synojnë të zhvillojnë dhe modernizojnë disa nga shërbimet në kryeqytet. “Duke qenë se kemi të ardhura më shumë se ç’kishim planifikuar, duam të investojmë që tani për dizenjimin e disa projekteve që besoj se do jenë projekte strategjike për Tiranën. Një prej tyre është projekti i zgjatjes së Lanës, një projekt historik për qytetin. Duam që Lana të zgjatet në të dy akset, pra përtej Maternitetit deri te Ura e Shkozës. Duam të bëjmë edhe zgjatimin nga ana tjetër e Lanës, pra përtej Pallatit me Shigjeta deri në Kashar, prej 1.8 km, për ta kthyer sërish në një bulevard”, bëri të ditur kryetari i Bashkisë. Ai siguroi se në paketën e re fiskale që shoqëron buxhetin e vitit të ardhshëm do të qëndrojë taksa për infrastrukturën arsimore dhe nuk do të ketë asnjë shtesë në taksat dhe tarifat për qytetarët.